Numri global i rasteve të osteoartritit është rritur me më shumë se 130% gjatë tre dekadave të fundit tek gratë që kanë kaluar menopauzën.
Ky konstatim ka ardhur sipas një analize të të dhënave që mbulon periudhën 1990-2021 dhe është publikuar në revistën “BMJ Global Health”.
Gjatë kësaj periudhe, Azia Lindore dhe vendet e Azisë-Paqësorit me të ardhura të larta përjetuan rritjen më të shpejtë të kësaj sëmundjeje, ndërsa pesha e tepërt e grave ishte përgjegjëse për 20% të totalit të viteve të jetuara me osteoartrit, sipas analizës shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Osteoartriti karakterizohet kryesisht nga përkeqësimi dhe dëmtimi i kërcit të kyçeve, i shoqëruar me rimodelim të kockave, disfunksion të kyçeve dhe dhimbje kronike.
Vetëm në vitin 2020, rreth 595 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me këtë gjendje, që përbën afërsisht 8% të popullsisë botërore, me gratë pas menopauzës në rrezik të shtuar.
Menopauza shënon një rënie të niveleve të estrogjenit, i cili ndikon jo vetëm në shëndetin e kockave, por edhe drejtpërdrejt në funksionin dhe stabilitetin e kyçeve, shpjegojnë studiuesit.
Osteoartriti i gjurit ishte më i zakonshmi dhe i shoqëruar me humbjen më të madhe të viteve të shëndetshme të jetës (1,264.48/100,000 banorë) i ndjekur nga osteoartriti i dorës dhe kategoritë e tjera.
Në anën tjetër, osteoartriti i ijëve ishte më i rrallë dhe i lidhur me normat më të ulëta të rasteve në studim. /Gazeta Shneta/


