Drejtorët e Spitaleve Regjionale në nivel vendi kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencionin Kundër Korrupsion.
Pasuri të trashëguar e të fituar nga të ardhurat e punës janë pjesë e deklarimit të tyre.
Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës së Jugut, Luljeta Zhubi, ka deklaruar se posedon pesë banesa, katër prej tyre me 92 metra katror në vlerë 68 mijë euro ndërsa njëra me 130 metra katror me vlerë prej 78 mijë euro. Ajo ka deklaruar se banesat janë blerë në këmbim të shtëpisë për ndërtimin e kompleksin banesor gjatë vitit 2017.
Përveç banesave Zhubi posedon edhe dy lokale. Lokali me 30 metra katror është në emër të prindërve dhe ka vlerë 30 mijë euro ndërsa lokali i dytë me 53 metra katror është në emër të bashkëshortit të saj.
Sa i përketë pasurisë së luajtshme, drejtoresha e spitalit të Mitrovicës Jugore ka një veturë “Suzuki” për të cilën ka deklaruar se e ka blerë 18 mijë euro me kredi para katër viteve.
Drejtoresha ka deklaruar se ka 1 mijë euro para të gatshme në njërën nga bankat në vend përderisa ka deklaruar se është edhe në kredi mbi 30 mijë euro.
Për pozitën që mbanë Zhubi paguhet nga buxheti i Kosovës mbi 16 mijë euro në vit.
Nga buxheti i vendit për një vit paguhet mbi 14 mijë euro drejtoresha e Spitalit Regjional të Vushtrrisë, Shefkije Shatri. Ndërsa nga puna e saj dytësore ajo paguhet 1 mijë e 800 euro në vit.
Shatri në Agjencin Kundër Korrupsion ka deklaruar se posedon një banesë me 66 metra katrorë në vlerë prej 42 mijë euro të trashëguar nga ish bashkëshorti i saj i ndjerë, si dhe një oborr me 300 metra katrorë në vlerë 12 mijë euro.
Në vitin 2016, drejtoresha ka deklaruar se ka blerë një veturë në vlerë 7 mijë euro në pronësi të fëmijëve.
Shatri ka deklaruar se ka 27 mijë euro para të gatshme, e për të cilat thotë se janë nga burimi i trustit të ish bashkëshortit të saj.
12 mijë e 500 euro para të gatshme i ka deklaruar drejtori i spitalit rajonal të Pejës, Skender Dreshaj në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Përvec kësaj ai paguhet mbi 18 mijë euro për një vit për pozitën që mbanë si drejtori i spitalit, përderisa ka deklaruar se në pagën sekondare, si ligjërues në Kolegjin UBT ai paguhet 4 mijë e 800 euro në vit, ndërsa 3 mijë euro nga poliklinika e tij në qytetin e Pejës.
Sa i përketë pasurisë së palujtshme, Dreshaj ka deklaruar se posedon tri banesa, dy prej tyre të trashëguara, njëra në vlerë 48 mijë euro, tjetra në vlerë 37 mijë euro si dhe banesa tjetër e blerë nga vet deklaruesi në vlerë 34 mijë euro.
Përvec kësaj, Dreshaj ka deklaruar se ka një ambulancë të trashëguar familjare si dhe një tokë – truallë në vlerë 6 mijë euro.
Deklaruesi posedon një veturë të tipit “Shkoda” të blerë gjatë vitit 2011 në vlerë 5 mijë euro, ndërsa fëmijët e tij posedojnë një veturë “Pezho” me vlerë 13 mijë euro të blerë gjatë vitit të kaluar si dhe një “Opel Astra” me kosto 5 mijë euro të blerë ne vitin 2014.
Gjatë vitit 2018 veturë ka blerë edhe UD. Drejtori i Spitalit Rajonal në Ferizaj, Isa Berisha. Vetura e tipit “Nissan”, drejtorit i kushtoi 15 mijë euro ndërsa një vit më parë veturë ka blerë edhe bashkëshortja e tij, në vlerë 5 mijë euro.
Berisha, posedon pyje, livadhë bujqësorë e shtëpi të trashëguar. Banesa e trashëguar ka vlerën 50 mijë euro ndërsa pyjet e livadhi bujqësorë kanë vlerën 3 mijë deri 4 mijë euro.
UD drejtori, gjithashtu ka deklaruar se gjatë vitit 2016 ka vlerë banesë me 63 metra katrorë në vlerë 35 mijë euro.
Sa i përketë parave të gatshme, Berisha ka deklaruar se posedon mbi 42 mijë euro para të gatshme në njërën nga bankat në vend, mbi 17 mijë ka bashkëshortja e tij ndërsa rreth tre mijë kanë fëmijët.
Berisha po ashtu ka deklaruar se bashkëshortja e tij është në kredi 3 mijë e 600 euro për blerjen e banesës.
Përveç pozitës si UD drejtor në Spitalin e Ferizaj, Berisha, poashtu është i punësuar edhe në Poliklinikën “Zeka” në Ferizaj, si dhe ka qenë i punësuar si konsulentë specialist jashtë orarit të punës në Komunën e Hanit të Elezit.
Punë dytësore mbanë edhe drejtori i spitalit të Gjilanit, Arsim Emini. Ai ka deklaruar se punon edhe në Spitalin Privat “Royal” në Prishtinë si specialist që nga viti 2019. Për një vit pune – kujdestari në spitalin privat Emini paguhet 4 mijë e 800 euro ndërsa si drejtor i spitalit ai paguhet 19 mijë euro në vit.
Emini ka deklaruar se posedon një shtëpi me 200 metra katrorë në vlerë prej 45 mijë euro, një tokë bujqësore në vlerë 59 mijë euro dhe një oborr me 25 ari në vlerë 250 mijë euro, e për të cilat ai ka deklaruar se janë të trashëguara nga familja e tij.
Të përbashkët e ka deklaruar edhe blerjen e veturës “Golf 7” në vlerë 12 mijë euro.
Sa i përketë parave të gatshme, drejtori i spitalit të Gjilanit ka mbi 20 mijë euro para të gatshme, bashkëshortja e tij ka mbi 42 mijë euro para të gatshme si dhe fëmijët mbi 2 mijë euro.
Drejtoresha e Spitalit të Prizrenit, Narqize Arënliu Hoxhaj dhe drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, kanë marrë pozitat menaxheriale gjatë këtij muaji dhe pasuritë e tyre nuk janë deklaruar ende në Agjencinë Kundër Korrupsion. /Gazeta Shneta/