Sipas rregullores së re, barnatoret e kryeqytetit prej javës që shkoi, do të duhej të mbylleshin në orën 21:00, me përjashtim të pesë prej tyre, të cilat janë të obliguara të kujdestarojnë deri në mëngjes.
Këto të fundit do të punojnë natën me rotacion, sipas orarit dhe rregullores të përpiluar nga Komuna e Prishtinës.
E sipas rregullores së re, çdo ditë të javës, pesë barnatore janë kujdestare nga ora 21:00 deri në 07:00 të mëngjesit. Ndërsa vikendit dhe festave, dhjetë barnatore do të punojnë 24 orë. Por zbatimi i këtij vendimi, nuk është mirëpritur nga disa barnatore, të cilat dhe kanë vazhduar që të mos e respektojnë orarin e ri.
Drejtori i Shëndetësisë i Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku ka thënë për “Indeksonline”-n se kujdestaria e barnatoreve ka ndodhur për herë të parë në kryeqytet dhe se kjo është bërë me kërkesë të qytetarëve.
“Për herë të parë në Prishtinë, ka filluar kujdestaria e barnatoreve pas luftës. Kjo ka ndodhur si pasojë e një kërkese të disa qytetarëve, të cilët kanë treguar se kanë pasur shqetësime se nuk kanë pasur orar të barnatoreve kujdestare në kryeqytet….Duke pasur parasysh që Prishtina ka QKUK- në që punon me 30 klinikat e saj 24 orë dhe kemi tri qendra të mjekësisë familjare që punojnë 24 orë, të cilat vetëm gjatë natës kanë 250 pacientë, e kemi parë të domosdoshme për me i pas disa barnatore, që kujdestarojnë në kryeqytet… Në përgjithësi ka pasur respektim të saj, me disa përjashtime të vogla që për këtë çështje Inspektorati… ka marrë masa, ndaj atyre që nuk e respektojnë. Kjo është bërë në interes të qytetarëve. Ne jemi të interesuar që të ketë barnatore kujdestare dhe sot ka 5 barnatore kujdestare në kryeqytet gjatë ditës së javës prej orës 21 deri në 07 në mëngjes. Ndërsa gjatë vikendeve dhe festave janë dhjetë barnatore. Ne do të mundohemi, do të bëjmë fushatë për t’i njoftuar qytetarët, mënyrën se si t’i gjejnë kur kanë nevojë barnatoret kujdestare. Por qëllimi ynë është që t‘u krijojmë këtë shërbim qytetarëve 24 orë”, tha ai.
Por jo të gjitha barnatoret e respektuan orarin, i cili hyri në fuqi me rregulloren e re. Sadiku thotë se madje ka pasur dhe nga ata që janë ankuar për këtë orar.
“Dy tri barnatore janë ankuar. Zakonisht janë ato barnatoret që nuk e kanë respektuar orarin. Unë u kam thënë se duhet me respektu orarin, sepse është një orar që është rregull për të gjithë. Dhe pastaj kemi organet si Oda e Farmacistëve, Shoqata e Farmacisteve, grupi punues, bëni propozimet dhe nëse pajtohen shumica për ta ndryshuar orarin, mund të jetë krejt në rregull”, thotë ai.
Por thotë se ndaj të gjitha barnatoreve, të cilat vazhdojnë të mos e respektojnë orarin e përcaktuar me rregulloren e re, do të merren masa.
“Inspektorati i kryeqytetit merret kush nuk i respekton dhe cilat janë masat. Me sa di, për individ gjoba mund të jetë deri në 1 mijë euro. Ndërsa për kompani deri në 3 mijë euro. Mënyra si dënohen ato janë çështje të inspektoratit….Ka katër apo 5 barnatore sa kam informata se kanë ditë saktësinë. Por tri katër barnatore ka pasur që herë pas here, e kanë thyer orarin dhe ka reagu Inspektorati… dhe besoj që secila do të fillojë ta respektojë këtë orar. Sepse është një orar, i cili i obligon barnatoret dhe Inspektoratin…, me zbatu këtë rregullore, që është miratuar”, tha ai.