Një studim i ri ka zbuluar se lumturia mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e vdekshmërisë nga sëmundjet kronike si sëmundjet e zemrës, kanceri, astma dhe diabeti – por vetëm pasi lumturia të arrijë një nivel të caktuar minimal.
Sipas studimit të publikuar në Frontiers in Medicine, njerëzit fillojnë të përfitojnë shëndetësisht nga ndjenja e lumturisë vetëm pasi kalojnë një prag prej 2.7 pikësh në shkallën “Life Ladder”, e cila mat mirëqenien subjektive nga 0 (jeta më e keqe e mundshme) deri në 10 (jeta më e mirë e mundshme).
“Ne tregojmë se mirëqenia subjektive, ose lumturia, funksionon si një aset shëndetësor në nivel popullate vetëm pasi të tejkalohet ky prag. Mbi këtë pikë, rritja e lumturisë lidhet me ulje të vdekshmërisë nga sëmundjet kronike,” shpjegoi Prof. Iulia Iuga, autore e parë e studimit nga Universiteti “1 Decembrie 1918” në Alba Iulia.
Lumturia si mburojë shëndeti
Studiuesit analizuan të dhëna nga 123 shtete, të mbledhura midis viteve 2006 dhe 2021, përmes burimeve ndërkombëtare shëndetësore dhe sondazheve publike. Ata gjetën se çdo rritje prej 1% në ndjenjën e lumturisë lidhej me ulje prej 0.43% të vdekshmërisë nga sëmundjet jo të transmetueshme (te grupmoshat 30 deri 70 vjeç).
Sipas studimit, vendet që kalojnë pragun e 2.7 pikëve zakonisht kanë shpenzime më të larta për shëndetësi, sisteme më të forta sociale dhe qeverisje më stabile, krahasuar me ato që mbeten poshtë këtij niveli.
“Brenda intervalit të vëzhguar, nuk u gjet asnjë efekt negativ nga ‘lumturia e tepërt’,” theksoi Iuga, duke shtuar se vendet shumë të varfra ose me mirëqenie shumë të ulët nuk përfitojnë menjëherë nga rritja e vogël e lumturisë – përmirësimet ndodhin vetëm pasi tejkalohet pragu minimal.
Lumturia si politikë shëndetësore
Sipas autorëve, për të rritur ndjenjën e mirëqenies kolektive, qeveritë mund të investojnë në parandalimin e obezitetit, kontrollin e konsumit të alkoolit, përmirësimin e cilësisë së ajrit, dhe rritjen e buxhetit për kujdes shëndetësor.
“H lumturia nuk është vetëm një ndjenjë personale, por edhe një burim i matshëm për shëndetin publik,” përfundoi profesorja Iuga.


