Organi i Shqyrtimit të Prokurimit Publik sërish i ka dal në krah kompanisë “Pharma Leader” në tenderin për insulina. Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë e ka akuzuar OSHP-në se me vendimin e saj po i rrezikon pacientët ndërsa ka njoftuar se e ka paditur këtë organ në gjykatë.
OSHP sot sërish ka vendosur në favor të kompanisë “Pharma Leader” në sagën e tenderit për furnizim me insulina në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky është vendimi i tretë i OSHP-së në favor të kompanisë “Pharma Leader” e cila ka ofertuar insulina pa Autorizim Marketing, shkruan Gazeta Shneta.
Me këtë vendim OSHP e ka anuluar vendimin e MSH-së për anulimin e tenderit, dhe lëndën e ka ritkhyer në rivlerësim. OSHP ka vlerësuar se MSH nuk ka pasur të drejt në anulimin e procedurës duke u arsyetuar se operatori ekonomik është vonuar në përgjigjen për zgjatjen e validitetit të ofertës.
Poashtu sipas OSHP-së MSH nuk ka pasur të drejt të thirret në anulimin e Udhëzimit Administrativ 02/2014 dhe të thirret në Udhëzimin e ri Administrativ 01/2022, i cili e rregullon përfundimisht çështjen e produkteve medicinale në Kosovë me dhe pa Autorizim Marketing.
Sipas OSHP-së, fillimisht eksperti shqyrtues nuk e ka në kompetencë të trajtoj këtë çështje, ndërsa poashtu lënda në këtë rast duhet të trajtohet sipas UA-së së vjetër pasi UA i ri nuk ka efekt retroaktiv.
MSH: OSHP po e rrezikon shëndetin e pacientëve
Ministria e Shëndetësisë ka dal me një reagim publik kundër vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, duke e akuzuar këtë institucion se po e rrezikon shëndetin e qytetarëve derisa ka njoftuar poashtu se ka ngritur padi ndaj OSHP-së.
“Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me disa vendime të Organit Shqyrtues të Prokurimit (Vendimet nr. 397, 409/22, Vendimin nr. 425/22 dhe Vendimin nr. 596/22) përmes të cilave vendime të kundërligjshme, OSHP po tenton të lejojnë prokurimin e barnave pa Autorizim të Marketingut në Kosovë, përkundër se kjo është e ndaluar shprehimisht me Ligjin Nr. 04/L -190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Autorizimi për Marketing është Leje e dhënë nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale për aprovimin e barit për treg bazuar në plotësimin e kërkesave për kualitet, siguri dhe efikasitet për përdorim human në tretmanin terapeutik”, thuhet në reagimin e MSH-së.
Nga MSH thonë se nëse zbatohet vendimi i OSHP-së, atëherë Kosova do të lejonte importimin e pakontrolluar të barnave.
“Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin publik se të gjitha këto vendime i ka kundërshtuar nëpërmjet padive gjyqësore dhe ka kërkuar pezullimin e vendimeve deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor, e që jemi të bindur se gjykata do t’i konsiderojë si të kundërligjshme. Rreziku që i kanoset përdoruesve të barnave pa Autorizim Marketing është i lartë, pasi që në rast se ne zbatojmë vendimet e lartëcekura të OSHP-së, atëherë Republika e Kosovës efektivisht do të lejonte importin e pakontrolluar të barnave në vendin tonë dhe për çdo efekt të padëshiruar të barnave askush nuk do të mund të mbahet përgjegjës. Ky Autorizim është kusht bazik i patejkalueshëm për verifikimin e sigurisë, cilësisë dhe efikasitetit të barnave”, thuhet në reagimin e MSH-së.
Në sagën dy vjeçare të tenderit për furnizim me insulina, MSH ka deklaruar se po përballet me rezistencë të pakuptimtë nga OSHP “e cila paradoksalisht ka mision që të mbrojë ligjshmërinë në prokurim publik e në anën tjetër me këto vendime është duke ndihmuar kompanitë farmaceutike të cilat refuzojnë qe shumë vite regjistrimin e barnave dhe rrezikojnë të krijojnë kaos farmaceutik në vend. Nuk ka asnjë arsyetim valid dhe të pranueshëm që qarkulluesit e produkteve medicinale mos të pajisen me Autorizimin e Marketingut sipas kërkesave të Ligjit por edhe të çdo standardi për sigurinë e barnave”, kanë thënë nga MSH.
Kjo është hera e tretë që OSHP ka marr vendim në favor të kompanisë “Pharma Leader” për ankesat e saj lidhur me tenderin për furnizim me insulina, procedurë kjo e nisur në vitin 2020. /Gazeta Shneta/