Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu, ka reaguar ndaj raportimeve mbi dyshimet për manipulime në zgjedhjet për Kuvendin dhe kryetarin e ri të OMK-së.
Gjatë ditës së sotme është raportuar në media se po dyshohet për manipulime në procesin zgjedhor për organet e reja të Odës së Mjekvë të Kosovës. Sipas tyre, OMK ende nuk e ka publikuar listën e votuesve dhe nuk dihet se sa delegatë do të dërgojë secila njësi në Kuvendin e Odës, transmeton Gazeta Shneta.
Por ndaj këtyre raportimeve ka reaguar kryetari i OMK-së Pleurat Sejdiu. Ai ka thënë se burimi i këtyre raportimeve nuk e njeh aspak rregulloren për zgjedhje në OMK.
“Çdo anëtarë e ka pasur mundësinë për ta verifikuar vetën në listat zgjedhore, poashtu secili anëtarë i OMK-së ka pasur afatin për t’i përditësuar të dhënat dhe dy listat e votuesve me të dhënat personale do i dërgohen Komisioneve zgjedhore në secilën njësi zgjedhore, dhe këto lista dhe publikimi i tyre i nënshtrohen Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka shprehur gatishmërinë për t’u përballur me këdo që ngrit dyshime për manipulime, në debat publik.
Kujtojmë se Oda e Mjekëve do të mbajë zgjedhjet për Kuvendin e ri më datën 1 dhjetor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga kryesuesi Adem Nura, dhe dy anëtarët Shaban Osmanaj dhe Arbnora Duriqi. /Gazeta Shneta/