Më shumë se 14 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara kanë një formë të sëmundjes kronike të veshkave, ndërsa shumica e tyre nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen shëndetësore që kanë, bëjnë të ditur ekspertët shëndetësorë.
Sipas specialistëve, sëmundja kronike e veshkave shpesh nuk shfaq simptoma deri në faza të avancuara, kur funksioni i veshkave është dëmtuar ndjeshëm.
Kjo gjendje rrit rrezikun për probleme kardiake, anemi, sëmundje të kockave, dëmtime nervore dhe, në raste të rënda, dështim të plotë të veshkave, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
Faktorët kryesorë të rrezikut përfshijnë hipertensionin, diabetin, sëmundjet e zemrës, obezitetin, infeksionet, kancerin, si dhe përdorimin afatgjatë të barnave kundër dhimbjes të tipit anti-inflamator josteroid. Po ashtu, predispozita gjenetike dhe historia familjare luajnë rol të rëndësishëm.
Ekspertët theksojnë se diagnostikimi i hershëm përmes analizave të gjakut dhe urinës mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes. Në rast të diagnozës, pacientëve zakonisht u rekomandohen ndryshime në stilin e jetesës, përfshirë ushqyerje të kontrolluar, aktivitet fizik të rregullt, shmangie të duhanit dhe alkoolit, si dhe menaxhim të stresit.
Në fazat e avancuara, disa pacientë mund të kenë nevojë për dializë ose transplant të veshkave. Mjekët rekomandojnë që personat në rrezik të konsultohen rregullisht me profesionistët shëndetësorë për monitorim dhe trajtim të vazhdueshëm.


