Senati i Universitetit të Prishtinës nuk e ka votuar kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë për shpalljen e 28 pozitave të lira për profesorë.
Senati i Universitetit të Prishtinës dje ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është zhvilluar një debat në mes të Rektorit Arben Hajrullahu dhe Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë Sefedin Muçaj, shkruan Gazeta Shneta.
Fakulteti i Mjekësisë kishte propozuar që të hapen 28 pozita të lira për profesorë dhe 11 pozita të lira për asistentë. Por kjo kërkesë është refuzuar nga Rektori i cili ka thënë se aktualisht nuk ka orë për profesorë.
Hajrullahu e ka hedhur në votim propozimin që në FM të hapen 11 pozita të lira për profesorë dhe 23 pozita për asistentë.
Në këtë mbledhje është zhvilluar një debat i ashpër në mes të Hajrullahut dhe Muçajt.
“Në mbledhjen e senatit të zhvilluar më 29 prill 2026 u vendos që të procedohet me hapjen konkurseve për disa pozita të reja për personel akademik në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, dhe në Fakultetin e Mjekësisë, si dhe u miratuan propozimet për avancimin e personelit ekzistues akademik dhe emërimin e profesorëve dhe asistentëve nga konkursi publik”, thuhet në njoftimin e UP-së. /Gazeta Shneta/



