Autoritetet shëndetësore në SHBA paralajmërojnë se shpërthimet e infeksionit nga Ciklospora, një parazit që shkakton diarre të ujshme dhe të fortë, mund të vazhdojnë deri në muajin gusht, ndërsa hetimet për burimin e kontaminimit në zinxhirin ushqimor janë ende në zhvillim.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë identifikuar deri tani 1 mijë e 645 raste të konfirmuara laboratorikisht me ciklosporiazë dhe kanë raportuar 145 persona të shtruar në spital. Ndërkohë, rreth 5 mijë e 100 raste të tjera janë ende në pritje të analizave shtesë, përfshirë intervistat me pacientët, shkruan The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
“Numri real i infeksioneve është pothuajse me siguri më i lartë, sepse shumë persona me simptoma të lehta shërohen pa kërkuar kujdes mjekësor”, tha Gwen Biggerstaff, zëvendësdrejtore e divizionit të CDC për sëmundjet që transmetohen nga ushqimi, uji dhe mjedisi. Ajo shtoi se këtë verë po regjistrohet një numër jashtëzakonisht i lartë i rasteve.
Sipas autoriteteve lokale, numri i të prekurve mund të jetë dukshëm më i lartë sesa shifrat e raportuara nga CDC.
Ciklosporiaza shkaktohet nga mikroorganizmi njëqelizor Cyclospora cayetanensis, i cili transmetohet përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar me materiale fekale. Infeksioni shfaqet më shpesh gjatë muajve të ngrohtë, nga maji deri në gusht.
Hetimi është i vështirë sepse paraziti ka një periudhë të gjatë inkubacioni. Simptomat mund të shfaqen disa ditë ose edhe javë pas infektimit, ndërsa diagnoza shpesh kërkon teste të veçanta.
Shpërthime të mëparshme janë lidhur me sallata të paketuara, barishte, mjedra dhe marule. Ekspertët dyshojnë se ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në rritjen e rasteve, pasi temperaturat më të larta krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e parazitit.
Autoritetet amerikane u kanë bërë thirrje qytetarëve të lajnë mirë frutat dhe perimet e freskëta ose, kur është e mundur, t’i gatuajnë ato.
Ekspertët e shëndetit publik kanë kritikuar gjithashtu reduktimet e mëdha në financimin e programeve të monitorimit të sëmundjeve që transmetohen nga ushqimi. /Gazeta Shneta/



