Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar një sërë rekomandimesh për qytetarët, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar në ruajtjen, përgatitjen dhe konsumimin e ushqimit, me qëllim parandalimin e helmimeve ushqimore gjatë temperaturave të larta.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, IKSHPK thekson se respektimi i rregullave bazë të higjienës dhe sigurisë ushqimore është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit, veçanërisht gjatë stinës së verës, kur rreziku për shumimin e baktereve në ushqim është më i madh.
Instituti u bën thirrje qytetarëve që të lajnë duart me ujë dhe sapun para përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit, të pastrojnë mirë frutat dhe perimet, si dhe të mbajnë të pastra sipërfaqet dhe mjetet e kuzhinës para dhe pas përdorimit.
Po ashtu, rekomandohet kontrollimi i afatit të përdorimit dhe respektimi i temperaturës së rekomanduar për ruajtjen e ushqimeve. Mishi, vezët dhe produktet e detit duhet të gatuhen plotësisht, ndërsa ushqimi duhet të konsumohet menjëherë pas përgatitjes ose të ruhet në frigorifer në enë të pastra dhe të mbyllura.
IKSHPK këshillon gjithashtu që ushqimi i ruajtur të ringrohet plotësisht para konsumimit dhe të mos lihet për kohë të gjatë në temperaturë ambienti, pasi kjo rrit rrezikun e shumimit të mikroorganizmave.
Në rekomandime theksohet edhe rëndësia e përdorimit të dërrasave prerëse, thikave dhe mjeteve të veçanta për ushqimet e papërpunuara dhe ato të gatuara, për të shmangur kontaminimin e kryqëzuar.
Instituti apelon që qytetarët të mos konsumojnë ushqime që kanë ndryshuar ngjyrën, erën ose shijen, apo për të cilat dyshohet se nuk janë ruajtur në kushte të përshtatshme. Gjithashtu, përdorimi i ujit të pastër dhe të sigurt mbetet një tjetër masë e rëndësishme parandaluese.
Sipas IKSHPK-së, kujdes i veçantë duhet t’u kushtohet fëmijëve, të moshuarve, grave shtatzëna dhe personave me imunitet të dobësuar, pasi këto kategori janë më të rrezikuara nga pasojat e helmimeve ushqimore.
Instituti e përmbyll mesazhin me moton: “Ushqim i sigurt, shëndet më i mirë!”/Gazeta Shneta/



