Menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë nuk merr masa ndaj tre kirurgëve të cilët janë nën hetime për korrupsion nga Prokuroria në Mitrovicë, edhe pas publikimit të video-dëshmive të pacientëve të cilët tregojnë se si iu kanë dhënë para atyre.
Drejtoresha e Spitalit Shefkije Shatri ka thënë për Gazetën Shneta se do të veprojnë pas epilogut të hetimeve.
“Jemi të njoftuar për zhvillimin e hetimeve, jemi të hapur për bashkëpunim dhe do të veprojmë në pajtim me epilogun e hetimeve”, ka thënë Shatri.
“Në kuadër të spitalit do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe deri sa të përfundojë procesi hetimor do të përmbahemi nga deklarimet që mund të cënojnë procesin”, ka thënë ajo.
Shatri nuk është përgjigjur nëse do të jap dorëheqje pas këtij skandali në institucionin të cilin ajo e drejton.
Pulmologia ka thënë se nuk kanë pasur deri më tani asnjë ankesë nga pacientët ndaj kirurgëve.
Gazeta Shneta ka publikuar dje video-dëshmi të pacientëve dhe familjarëve të pacientëve të cilët tregojnë se si iu kanë dhënë para kirurgëve për të kryer operacionet. Paratë janë dhënë kinse për të blerë material për intervenimet.
Ndaj tre kirurgëve, Isuf Zekaj, Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj janë duke u zhvilluar hetime nga Prokuroria në Mitrovicë. Kujtojmë se kirurgu Zekaj është anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, i emëruar nga Qeveria Kurti në korrik të vitit të kaluar me propozimin e ish-ministrit Rifat Latifi.
Nga Ministria e Shëndetësisë përveç një reagimi se do të marrin masa, nuk ka pasur deri më tani asnjë veprim. /Gazeta Shneta/
Tre kirurgë dyshohet se morën para nga pacientët për të kryer operacionet në Spitalin e Vushtrrisë