SHKUK ka deklaruar se ka kërkuar nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë që të marr masa ndaj tre kirurgëve, ndërsa MSH kanë thënë se do të merren masa ditëve në vijim, por drejtoresha Shefkije Shatri nuk ka iniciuar asnjë veprim duke thënë se do të pres përfundimin e hetimeve.
Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se ditëve në vijim do të ndërmerren të gjitha masat e parapara ligjore në rastin e tre kirurgëve të Spitalit të Vushtrrisë të cilët po hetohen nën dyshimet për korrupsion, nga Prokuroria në Mitrovicë, shkruan Gazeta Shneta.
“Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve, ditëve në vijim do të ndërmerren të gjitha masat e parapara ligjore”, thuhet në një përgjigje të MSH-së për Gazetën.
Ndërkaq Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i ka thënë Gazetës Shneta se ka kërkuar nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë që të marr masa ndaj tre kirurgëve që dyshohen për korrupsion dhe janë nën hetime nga Prokuroria në Mitrovicë.
“Ju njoftojmë, se njoftimin e kemi kuptuar përmes medieve. Menjëherë menaxhmenti i ShSKUK ka kontaktuar me menaxhmentin e Spitalit të Vushtrrisë, duke kërkuar që të veprohet dhe të ndërmerren masa konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në një përgjigje të SHSKUK-së.
Por duket se këto thirrje për masa nga MSH dhe SHSKUK nuk kanë shkuar në vendin e duhur. Kjo pasi drejtoresha e Spitalit të Vushtrrisë, Shefkije Shatri, nuk ka iniciuar asnjë masë disiplinore ndaj tre kirurgëve.
Ajo ka thënë se do të presin përfundimin e hetimeve për të ndërmarr masa.
“Jemi të njoftuar për zhvillimin e hetimeve, jemi të hapur për bashkëpunim dhe do të veprojmë në pajtim me epilogun e hetimeve. Në kuadër të spitalit do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe deri sa të përfundojë procesi hetimor do të përmbahemi nga deklarimet që mund të cënojnë procesin”, ka thënë Shatri.
Kujtojmë se tre kirurgët Isuf Zekaj, Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj po hetohen nga Prokuroria në Mitrovicë nën dyshimet për korrupsion. /Gazeta Shneta/