Viti 2025 u shënua nga disa përparime të rëndësishme shkencore që pritet të ndikojnë ndjeshëm në trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve në mbarë botën.
Sipas Euronews Health janë përmbledhur pesë nga zhvillimet më premtuese mjekësore të këtij viti.
1. Redaktimi i ADN-së për trajtimin e sëmundjeve të rralla
Për herë të parë në botë, një foshnjë me një sëmundje gjenetike vdekjeprurëse u trajtua me terapi të personalizuar CRISPR. Ndërhyrja uli ndjeshëm varësinë nga barnat dhe përmirësoi cilësinë e jetës, duke hapur rrugë të reja për trajtimin e çrregullimeve gjenetike.
2. Përparime në vaksinat mRNA
Teknologjia mRNA, e njohur nga pandemia e COVID-19, po testohet tashmë për gripin, HIV-in, kancerin dhe sëmundje të tjera. Studime të hershme kanë treguar se vaksinat mRNA kundër HIV-it mund të nxisin një përgjigje të fortë imunitare.
3. Transplantet e organeve nga derri drejt njeriut
Xenotransplantimi shënoi një hap të madh përpara, pasi një mëlçi derri e modifikuar gjenetikisht u transplantua te një pacient i gjallë, i cili mbijetoi për disa muaj. Shkencëtarët besojnë se kjo mund të ndihmojë në zbutjen e mungesës së organeve për transplantim.
4. Studimi i demencës me ind truri njerëzor të gjallë
Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar përdorën për herë të parë ind truri njerëzor të gjallë për të studiuar fazat e hershme të demencës, duke vëzhguar drejtpërdrejt dëmtimin e qelizave nga proteinat toksike të lidhura me Alzheimerin.
5. Barnat për humbje peshe tregojnë përfitime shtesë
Studime të reja sugjerojnë se barnat kundër obezitetit dhe diabetit mund të ndihmojnë edhe në trajtimin e varësive dhe disa çrregullimeve mendore, megjithëse ekspertët theksojnë se ato nuk janë zgjidhje universale dhe kërkohen më shumë prova shkencore.
Ekspertët vlerësojnë se këto zhvillime përfaqësojnë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhmeje me trajtime më efektive dhe të personalizuara, edhe pse shumë prej tyre janë ende në faza testimi./Gazeta Shneta/


