Një studim tregoi se pjesëmarrësit e shtruar në spital me COVID-19 që përjetonin komplikime neurologjike kishin nivele më të larta të proteinave të gjakut ose biomarkerëve të lidhur me dëmtime neurologjike sesa njerëzit me Alzheimer.
Rritja e niveleve të biomarkerëve lidhej me ashpërsinë e COVID-19, rrezikun e vdekshmërisë dhe praninë e çrregullimeve neurologjike, shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Ndjekja afatgjate është e nevojshme për të përcaktuar nëse ngritja e biomarkerëve shoqërohet me një rrezik në rritje të zhvillimit të çrregullimeve të mëvonshme neurodegjenerative.
COVID-19, sëmundja që shkakton një infeksion SARS-CoV-2, shpesh sjell simptoma të lehta të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Megjithatë, disa individë mund të përjetojnë sëmundje të rënda që kërkojnë shtrimin në spital. Kjo mund të ndodhë për shkak të pneumonisë dhe dëmtimit të mushkërive që shkaktojnë dështim të frymëmarrjes.
Për më tepër, manifestimet neurologjike ndodhin zakonisht tek njerëzit e shtruar në spital me COVID-19. Çrregullimet neurologjike mund të përfshijnë encefalopati, konvulsione, goditje në tru, sindromën Guillain-Barré dhe encefalomielit akut demielinizues.
Studiuesit në shkollën e mjekësisë të NYU Grossman kryen një studim që hetoi nëse njerëzit me COVID-19 që përjetonin komplikime neurologjike të reja gjatë shtrimit në spital, i kishin të ngritur shënuesit e gjakut që tregonin dëmtim neurologjik.
Hulumtuesit publikuan rezultatet e studimit në revistën Alzheimer’s and Dementia.
Dr. Thomas Wisniewski, bashkautor i studimit, profesor i neurologjisë, patologjisë dhe psikiatrisë, përgjatë një interviste tha se:
“Është e qartë se virusi [SARS-CoV-2] ka një prirje për të nxitur dëmtime vaskulare, duke synuar qelizat endoteliale dhe duke shkaktuar ndërprerje të barrierës gjaku-tru, si dhe duke nxitur neuroinflamacion të përgjithësuar. Citokinat si interleukina 6 dhe interleukina 1 janë shumë të ngritura në ndividët me COVID-19, dhe këto janë citokina që nxisin neurodegjenerimin dhe sëmundjen e Alzheimerit. /Gazeta Shneta/