Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nisur një nismë për të trajtuar sheqerin e shtuar si duhanin, duke paralajmëruar për rreziqet e tij shëndetësore. Edhe pse Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave rekomandon një maksimum prej 50 gramë sheqer të shtuar në ditë, një amerikan mesatar konsumon trefishin e kësaj sasie.
Studimet tregojnë se 49% e të rriturve amerikanë janë diabetikë ose paradiabetikë dhe 75% e ushqimeve standarde përmbajnë sheqer të shtuar, shkruan CNN, transmeton Gazeta Shneta.
Efektet shkatërruese të sheqerit
Ekspertët shprehin shqetësimin e tyre, duke vënë në dukje se disa kos përmbajnë më shumë sheqer sesa një pije freskuese. Sheqeri krijon varësi tetë herë më shumë se kokaina dhe është i lidhur me ankthin, lodhjen, humbjen e kujtesës, ADHD dhe jetëgjatësi më të shkurtër. Konsumi i sheqerit shkakton një rritje të shpejtë të sheqerit në gjak, që aktivizon qendrat e kënaqësisë në tru, duke krijuar një cikël vicioz ku kërkojmë akoma më shumë sheqer kur nivelet e tij bien.
Në disa vende, produktet me sheqer mbajnë etiketa paralajmëruese të ngjashme me ato në cigare. Në Kili, kjo politikë ka çuar në një reduktim të dukshëm të konsumit të pijeve me sheqer. Nisur nga rezultatet pozitive në Kili, ekspertët propozojnë që kjo metodë të përhapet edhe në vendet e tjera për të ulur konsumin e sheqerit.
Në një zhvillim të ngjashëm për shëndetin publik, Irlanda pritet të rrisë moshën minimale për blerjen e duhanit nga 18 në 21 vjeç. Ky draft-legjislacion, i prezantuar të martën, do të jetë kufizimi më i lartë i moshës në Bashkimin Evropian. Qeveria synon të zvogëlojë numrin e të rinjve që blejnë cigare me këtë masë./Gazeta Shneta/


