Një studim i ri shkencor tregon se disa pika tretësire (solucioni) sheqeri mund të ndihmojnë në uljen e dhimbjes tek bebet gjatë procedurave mjekësore, si injeksionet apo analizat e gjakut.
Sipas një rishikimi të studimeve nga organizata kërkimore “Cochrane”, vendosja e një sasie të vogël sheqeri në gojën e bebës para procedurës mund të zvogëlojë ndjeshëm dhimbjen gjatë dhe menjëherë pas ndërhyrjes, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Bebet, veçanërisht të porsalindurit dhe ata që trajtohen në njësitë e kujdesit intensiv, i nënshtrohen shpesh procedurave të ndryshme mjekësore.
Sistemi i tyre për rregullimin e dhimbjes ende nuk është zhvilluar plotësisht, prandaj ata mund ta përjetojnë dhimbjen më intensivisht se të rriturit.
Kjo metodë është veçanërisht e dobishme për bebet që qëndrojnë në spital për një periudhë më të gjatë, si ata të lindur para kohe ose me probleme shëndetësore. Këta të porsalindur shpesh i nënshtrohen analizave të shpeshta të gjakut ose vendosjes së linjave intravenoze për trajtim.
Ekspertët theksojnë se dhimbja e përsëritur dhe e patrajtuar në muajt e parë të jetës mund të ndikojë negativisht në rritjen dhe zhvillimin e bebës.
Megjithatë, studiuesit shtojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar efektet afatgjata të përdorimit të shpeshtë të tretësirës së sheqerit. /Gazeta Shneta/


