Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar do të përdorin inteligjencën artificiale (AI) për të adresuar rritjen e infeksioneve që nuk përgjigjen ndaj trajtimeve ekzistuese.
Rezistenca ndaj antibiotikëve ndodh kur bakteret ose viruset zhvillohen në mënyrë që të shmangin efektin e barnave, duke e bërë trajtimin e infeksioneve më të vështirë.
Të dhënat globale tregojnë se rreth një në gjashtë infeksione bakteriale të konfirmuara në laborator është rezistente ndaj antibiotikëve, shkruan Euronews përcjell Gazeta Shneta.
Parashikimet e ekspertëve tregojnë se deri në vitin 2050, rezistenca antimikrobike mund të shkaktojë drejtpërdrejt 39 milionë vdekje.
Projekti trevjeçar, i financuar me 45 milionë paund (€51 milion) nga kompania farmaceutike GSK, në bashkëpunim me Iniciativën Fleming, ka për qëllim përdorimin e AI për zhvillimin e antibiotikëve të rinj dhe për të kuptuar më mirë reagimin e sistemit imunitar ndaj infeksioneve.
Qëllimi është të përqendrohen në disa prej baktereve rezistente që OBSH-ja i ka identifikuar si prioritet: Aspergillus, bakteret Gram-negative si Escherichia coli dhe Klebsiella pneumoniae, dhe Staphylococcus aureus, përfshirë MRSA-në.
Shkencëtarët do të krijojnë modele AI për testimin dhe dizajnimin e antibiotikëve të rinj dhe për të zhvilluar një vaksinë efektive kundër S. aureus. Të dhënat dhe modelet e AI-së do të jenë të aksesueshme edhe për shkencëtarë të tjerë globalisht, për të përshpejtuar krijimin e trajtimeve të reja./Gazeta Shneta/


