Shkencëtarët në Kinë kanë realizuar për herë të parë një transplant mushkërie nga derri te një njeri. Transplanti u bë te një pacient 39-vjeçar, i cili ishte shpallur me tru të vdekur.
Mjekët përdorën mushkërinë e majtë të një derri të modifikuar gjenetikisht, ndërsa mushkëria e djathtë e pacientit mbeti e paprekur.
Sipas tyre, mushkëria e derrit funksionoi për nëntë ditë rresht, pa u refuzuar menjëherë nga organizmi.
Megjithatë, pas 24 orësh u shfaqën shenjat e para të dëmtimit, ndërsa treguesit e refuzimit u vunë re në ditën e tretë dhe të gjashtë.
Pas ditës së nëntë eksperimenti përfundoi, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët thonë se ky është një hap i madh drejt asaj që quhet xenotransplantim – përdorimi i organeve të kafshëve për të shpëtuar jetë njerëzish.
Sipas tyre, nëse teknologjia përmirësohet, në të ardhmen mushkëritë e derrit mund të përdoren për pacientë që presin transplante.
Vetëm vitin e kaluar, në gjithë botën u kryen mbi 173 mijë transplante organesh, por kërkesa për organe mbetet shumë më e madhe se oferta./Gazeta Shneta/


