Shkencëtarët thonë se kanë gjetur një alternativë më premtuese: një sheqer të rrallë, të quajtur tagatozë, i cili ka shije të ngjashme me sheqerin e zakonshëm, por me më pak kalori dhe ndikim shumë më të ulët në sheqerin në gjak.
Një studim i ri nga Universiteti Tufts, i publikuar në “Cell Reports Physical Science”, përshkruan një metodë më të lirë dhe më efikase për prodhimin e tagatozës. Ky sheqer gjendet natyrshëm në sasi shumë të vogla në qumësht dhe disa fruta, çka e ka bërë prodhimin e tij në shkallë të gjerë të vështirë dhe të kushtueshëm, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Tagatoza është rreth 92% po aq e ëmbël sa sheqeri i zakonshëm, por përmban afërsisht 60% më pak kalori. Studimet tregojnë se ajo shkakton vetëm rritje minimale të glukozës dhe insulinës në gjak, duke e bërë potencialisht të përshtatshme për personat me diabet.
Për më tepër, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e ka klasifikuar atë si të sigurt për përdorim ushqimor.
Risia e këtij studimi qëndron në përdorimin e baktereve të modifikuara gjenetikisht, të cilat shndërrojnë glukozën e zakonshme në tagatozë me një rendiment deri në 95%, shumë më i lartë se metodat ekzistuese. Kjo u arrit falë përdorimit të enzimave specifike, përfshirë një enzimë të zbuluar te një organizëm i ngjashëm me mykun.
Ndryshe nga shumë ëmbëlsues artificialë, tagatoza funksionon si “ëmbëlsues masiv”, duke ofruar jo vetëm shije, por edhe strukturë në gatim dhe pjekje, madje edhe duke u karamelizuar si sheqeri.
Studiuesit besojnë se kjo e bën atë një alternativë shumë të vlefshme për industrinë ushqimore dhe konsumatorët që kërkojnë zgjedhje më të shëndetshme. /Gazeta Shneta/


