Personat që vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti, migrena apo çrregullimet e tiroides, duhet të jenë më të kujdesshëm përpara se të vendosin të kryejnë injeksione kozmetike me Botox. Një studim i ri i publikuar në “Aesthetic Surgery Journal”, tregon se këto gjendje shëndetësore rrisin ndjeshëm rrezikun e efekteve anësore nga toksina botulinike.
Sipas studiuesve, efektet anësore të Botox-it mund të përfshijnë nauze, dhimbje koke, mavijosje, humbje të shprehjes së fytyrës, dobësi muskulore dhe rënie të vazhdueshme të qepallave, shkruan burimi Heath Day transmeton Gazeta Shneta.
Profesori Lee Smith nga Universiteti Anglia Ruskin në Mbretërinë e Bashkuar thekson se ky studim “rrëzon mitin se Botox-i është një procedurë kozmetike e parëndësishme”, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje mjekësore komplekse.
Studimi u bazua në një anketim të mbi 900 të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar që kishin marrë Botox për arsye estetike.
Rezultatet treguan se personat me diabet të tipit 1 kishin 92 herë më shumë gjasa të përjetonin nauze pas injeksioneve. Ata me çrregullime të tiroides ose migrenë kronike kishin rreth 10 herë më shumë rrezik për nauze, ndërsa pacientët me katarakt, raportuan 30 herë më shumë dhimbje koke.
Gjithashtu, personat që po rikuperoheshin nga një dëmtim i mëparshëm kishin rrezik të lartë për humbje të shprehjes së fytyrës dhe dobësi muskulore.
Ekspertët besojnë se këto efekte mund të lidhen me ngarkesën fizike të sëmundjeve kronike ose me ndërveprimet mes Botox-it dhe medikamenteve të tjera.
Për këtë arsye, ata theksojnë se vetëm profesionistë të kualifikuar mjekësorë duhet të lejohen të kryejnë këto injeksione, pasi Botox-i nuk është thjesht një procedurë bukurie, por një akt mjekësor që kërkon vlerësim dhe gjykim profesional. /Gazeta Shneta/


