Një teknik i anestezionit është përjashtuar nga puna, ndërsa tre të tjerë janë dënuar nga Komisioni Disiplinor për mungesë në punë në QKUK.
Në mars të këtij viti katër teknikë të anestezionit lanë QKUK dhe ia mësynë Gjermanisë për të punuar me profesionin e tyre, shkruan Gazeta Shneta.
Atyre iu dha pushim një mujor drejtori i Klinikës së Anestezionit Nehat Baftiu. Por Driton Gashi, Bahrie Gashi, Bekim Krasniqi dhe Bekim Halilaj, duhej të ktheheshin ose ta linin punën në QKUK pas përfundimit të pushimit.
Ata u kthyen sërish në QKUK, por me vonesë. Për këtë arsye Baftiu i çoi në Komisionin Disiplinor.
Gazeta Shneta ka marr vesh nga burime se Komisioni e ka përjashtuar nga puna Bekim Halilajn, për mungesë në punë për më shumë se një muaj, ndërsa ka dënuar me 40 për qind të pagës për 6 muajt e ardhshëm tre të tjerët. Driton Gashi, i cili më parë ka qenë kryeteknik në klinikë, poashtu është dënuar me ulje në pozitë.
Këtë vendim të Komisionit Disiplinor e ka konfirmuar edhe vet Baftiu. “Komisioni Disiplinor ka marr vendim për përjashtimin nga puna të një tekniku për shkak të mungesës në punë, dhe tre të tjerë janë dënuar”, ka deklaruar Baftiu. /Gazeta Shneta/