Plakja fiziologjike është proces natyror përmes të cilit qelizat, indet dhe organet e trupit plaken. Ky proces zhvillohet me ritme të ndryshme te njerëz të ndryshëm dhe mund të ndikohet nga zgjedhjet që bëjmë gjatë jetës.
Dihet se një stil jetese i shëndetshëm – ushqyerja e balancuar, aktiviteti fizik i rregullt, mos pirja e duhanit, kufizimi i alkoolit, menaxhimi i stresit dhe angazhimi mendor – mund ta ngadalësojë plakjen fiziologjike. Tani, një studim i ri i botuar në “Journal of Epidemiology and Community Health” sugjeron se edhe pjesëmarrja në aktivitete kulturore, si vizitat në kinema, teatër, muze apo galeri arti, mund të ndihmojë në këtë drejtim.
Studiuesit analizuan të dhënat e gati 1,900 të rriturve mbi 50 vjeç, pjesëmarrës në studimin afatgjatë “English Longitudinal Study of Ageing” në Angli. Ata u pyetën se sa shpesh frekuentonin kinema, muze, galeri arti, teatro, koncerte ose opera, ndërsa u matën edhe 10 tregues fiziologjikë, përfshirë presionin e gjakut, kolesterolin LDL, indeksin e masës trupore (BMI) dhe shpejtësinë e ecjes.
Rezultatet treguan se personat që merrnin pjesë në aktivitete kulturore çdo disa muaj kishin një moshë fiziologjike mesatare prej rreth 66,9 vjetësh, më të ulët krahasuar me ata që angazhoheshin më rrallë.
Për më tepër, çdo rritje me një pikë në nivelin e angazhimit kulturor lidhej me një ulje prej rreth 31 ditësh të moshës fiziologjike, edhe pas marrjes në konsideratë të faktorëve si të ardhurat dhe sëmundjet kronike, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Autori kryesor i studimit, Yusuke Matsuyama, profesor në Institutin e Shkencës në Tokio, tha se angazhimi kulturor është një faktor që mund të ndryshohet dhe mund të luajë rol në plakjen e shëndetshme.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të vërtetuar nëse aktivitetet kulturore ndikojnë drejtpërdrejt në ngadalësimin e plakjes. /Gazeta Shneta/


