Shërbimi Spitalor Klinik Universitar dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë po konsiderojnë se Ligji për Paga është i mirëseardhur për të gjithë profesionistët shëndetësorë.
Kështu thuhet në një njoftim për një takim të thirrur nga Bordi Drejtues i SHSKUK-së ku kanë marr pjesë drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, kryetari i FSSHK-së Dr. Blerim Syla, kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu, si dhe drejtorët e klinikave, shkruan Gazeta Shneta.
Ndonëse ka shumë pakënaqësi nga infermierët dhe kategoritë tjera lidhur me koeficientin në Ligjin për Paga, në këtë takim nuk është parë asnjë përfaqësues i tyre. Madje të pakënaqur me këtë ligj, sikurse janë Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, po konsiderohen si “grupe të ndryshme” që po synojnë pengimin e zbatimit të ligjit për interesa të tyre.
Në anën tjetër në njoftim thuhet se të gjitha palët janë të kënaqura me ligjin. “Pikë vetme e rendit të ditës, ishte diskutimi në lidhje me fillimin e zbatimit të Ligjit të ri për Paga, i cili ka filluar të zbatohet nga data 1 dhjetor. Qëndrim i përbashkët i të pranishmëve ishte se ky Ligj është i mirëseardhur për të gjithë profesionistët shëndetësor dhe se presin që në fund të këtij muaji punëtorët shëndetësor të marrin pagat me rritje”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim po ashtu u tha se tendencat për ta pezulluar ligjin janë të papranueshme. “Në takim u tha se tendencat për të pezulluar zbatimin e këtij Ligji janë të pa pranueshme dhe kanë për qëllimtë dëmtojnë progresin e arritur në drejtim të përmirësimit të përgjithshëm të mirëqenies së punëtorëve shëndetësor. Institucionet e pranishme në takim, ju bënë thirrje të gjitha institucioneve vendimmarrëse të jenë të kujdesshme dhe mos ta pengojnë zbatimin e këtij Ligji për interesa të grupeve të ndryshme”, thuhet në njoftim. /Gazeta Shneta/