Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ia ka dhënë edhe një kontratë afër 50 mijë euro kompanisë “Termomontimi” për punime shtesë për repartin e kardiologjisë invazive në Spitalin e Prizrenit.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar në prill të vitit të kaluar e ka filluar projektin për ndërtimin e repartit për kardiologji invazive në Spitalin e Prizrenit, shkruan Gazeta Shneta.
Grupi i operatorëve “Termomontimi” “Elektromontimi” dhe “Dajting” ishin shpallur fitues të kontratës e cila kapte vlerën mbi 943 mijë euro. Me këtë kontratë duhej të kryheshin punët për mbi-ndërtimin i cili do të shërbente si laborator i kateterizimit në spitalin e Prizrenit.
Por duket se këto para nuk i kanë mjaftuar operatorëve për të kryer punët.
SHSKUK i ka dhënë edhe një kontratë tjetër të negociuar për punime shtesë kompanisë “Termomontimi”. 49,800 euro i janë dhënë kësaj kompanie për punë shtesë në mbindërtimin e laboratorit të kateterizimit.
Nuk dihet se kur do të përfundojnë këto punime dhe kur ky laborator do të furnizohet me pajisjet e nevojshme për kateterizim. /Gazeta Shneta/