Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ka mbajtur një mbledhje të posaçme kushtuar Muajit Rozë – muajit të vetëdijesimit për luftën kundër kancerit të gjirit.
Mbledhjen e hapi kryesuesja e Bordit, Tetore Olloni, e cila theksoi se Muaji Rozë, përmes punës së palodhshme të znj. Nafije Latifi, nuk përfaqëson vetëm ngjyrat dhe kordelat rozë, por është simbol i forcës, solidaritetit dhe kujtesë për betejën e vazhdueshme kundër kësaj sëmundjeje, transmeton Gazeta Shneta.
“Përmes një kauze fisnike që ka ndjekur për dy dekada, znj. Nafije ka trokitur në ndërgjegjen e secilit prej nesh, duke bartur dhimbjen e mijëra grave dhe rikthyer shpresën për jetën,” tha Olloni, duke e quajtur atë “të ftuar nderi” të ShSKUK-së.
Drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, i dorëzoi znj. Latifi një mirënjohje të veçantë për kontributin e saj mbi 20-vjeçar në mbështetje të pacientëve me kancer dhe në avancimin e shërbimeve shëndetësore në vend.
“Falë punës, humanizmit dhe vizionit të znj. Latifi, shumë pacientë kanë gjetur forcë dhe shpresë në përballje me sfidat e jetës,” tha Azizi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile.
Nga ana e saj, znj. Nafije Latifi, kryetare e Shoqatës “JETA/VITA”, u shpreh se për 19 vite kanë qëndruar pranë qytetarëve dhe profesionistëve të shëndetësisë, me qëllim të vetëm – informimin dhe vetëdijesimin për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
“Lufta kundër kancerit të gjirit nuk fitohet vetëm me kirurgji e barna, por me empati, ndjeshmëri dhe bashkëpunim të vazhdueshëm,” tha ajo.
Në takim morën pjesë edhe drejtues të klinikave që trajtojnë pacientë me kancer, të cilët paraqitën të dhënat e punës për 9 muajt e parë të vitit 2025:
Klinika e Onkologjisë: 230 raste me kancer të gjirit, përfshirë 4 meshkuj.
Klinika e Radiologjisë: 1200 mamografi, 1975 eho gjiri, 480 rezonanca gjiri dhe 230 biopsi.
Klinika e Kirurgjisë Plastike: 140 ndërhyrje kirurgjikale për rindërtimin e gjirit.
Klinika e Kirurgjisë Torakale: 230 operacione gjiri, përfshirë 74 sentinell dhe 58 kirurgji kuruese./Gazeta Shneta/




