Shërbimi Spitalor Klinik Universitar është duke shtuar kapacitetet e brendshme në funksion të pandemisë Covid-19.
Në klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale aktualisht janë afër 1300 pacientë të sëmurë me Covid-19. Kjo është shifra më e lartë e pacientëve të hospitalizuar, që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, shkruan Gazeta Shneta.
Në Qendrën Klinike Universitare janë tetë njësi që janë shndërruar në Covid-19, ku përfshihen Klinika Infektive, Mjekësia Sportive, blloku i Internos, Pulmologji, MIQ Covid, Gjinekologji dhe Pediatri. Në këto klinika janë të hospitalizuar rreth 440 pacientë.
Në Mjekësinë Sportive aktualisht janë mbi 80 pacientë ndërsa menaxhmenti është duke punuar që të shtojë kapacitetin edhe për 80 shtretër të tjerë.
Njësia koronare e Klinikës së Kardiologjisë është shnëdërruar sërish në Mjekim Intensiv Qendror për Covid-19. Shtimi i numrit të pacientëve në gjendje të rëndë ka sjellë nevojën që edhe një pjesë e Klinikës së ORL-së të shndërrohet në intensivë.
Poashtu menaxhmenti është duke planifikuar që edhe katin e fundit të Klinikës Infektive ta bëj njësi intensive.
Shtretër të ri pritet të vendosen edhe në hapësirat e ambulancave specialistike për trajtimin e pacientëve të sëmurë me Covid-19.
Mbrëmë është mbajtur edhe një mbledhje urgjente e Komitetit të SHSKUK-së për nevojën e shtimit të shtretërve për Covid-19. Drejtori Valbon Krasniqi ka treguar se janë pezulluar operacionet elektive, poashtu edhe ambulancat specialistike për të siguruar më shumë hapësira për Covid.
“Kam thirrë një mbledhje në orët e vona të natës, ku na është bashkangjit edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kemi përcjell situatën nga ora në orë për të parë se si po zhvillohet. Ne kemi ndërprerë programet elektive të intervenimeve kirurgjike, ato të natyrës joemergjente dhe do të detyrohemi që të pezullojmë fatkeqësisht edhe shërbimet specialistike në mënyrë që të krijojmë vend për pacientët që do të shtrihen nëpër spitale”, ka deklaruar Krasniqi në Klan. /Gazeta Shneta/