Një studim i ri sugjeron se rritja edhe e moderuar e numrit të infermierëve mund të përmirësojë ndjeshëm moralin e stafit shëndetësor dhe të ulë nivelin e sindromës së djegies profesionale në spitale. Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore “JAMA Network Open”, tregon se një shtim prej vetëm 10% i stafit infermieror ka ndikim pozitiv si te mjekët ashtu edhe te vetë infermierët.
Linda Aiken, drejtoreshë themeluese e Qendrës për Studime të Politikave Shëndetësore në Universitetin e Pensilvanisë, thekson se djegia profesionale e mjekëve përbën një krizë globale, ndërsa zgjidhjet praktike mbeten të kufizuara. Sipas saj, investimi në infermierë përfaqëson një “zgjidhje dy-në-një”, pasi njëkohësisht përmirëson mirëqenien e stafit dhe rrit cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studimi analizoi përgjigjet e mbi 1,100 mjekëve evropianë dhe rreth 5,300 mjekëve amerikanë, si dhe të afërsisht 3,000 infermierëve në Evropë dhe gati 12,000 infermierëve në Shtetet e Bashkuara.
Në SHBA, një përmirësim modest prej 10% në mjedisin e punës dhe mbështetjen për infermierët u shoqërua me 22% më pak mjekë që planifikonin të largoheshin nga puna, 19% ulje të pakënaqësisë në punë dhe 10% reduktim të niveleve të larta të djegies profesionale.
Edhe spitalet evropiane shënuan rezultate të ngjashme. Rritja me 10% e stafit të infermierëve çoi në 20% më pak mjekë që mendonin të largoheshin nga puna, 27% ulje të refuzimit për ta rekomanduar spitalin dhe 12% reduktim të sindromës së djegies së lartë profesionale.
Pavarësisht këtyre gjetjeve, shumë mjekë vazhdojnë të përballen me sfida serioze: nga 20% deri në 44% planifikojnë të lënë vendin e punës për shkak të pakënaqësisë, ndërsa deri në 45% raportojnë nivele të larta të djegies profesionale. Studiuesit theksojnë se përmirësimi i stafit infermieror dhe i kushteve të punës është një hap realist, i mbështetur në prova shkencore, për të mbajtur në sistem si infermierët ashtu edhe mjekët. /Gazeta Shneta/


