Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar raportin e auditimit me Opinion të Kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
Në këtë raport janë evidentuar dy gjetje shumë problematike, njëra në SHSKUK dhe tjetra në Spitalin e Prizrenit, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas raportit të ZKA-së, SHSKUK kishte blerë aparatura me vlerë prej 927,200 Euro, por liferimi i tyre u vonua deri në 52 ditë. Dhe krejt kjo vonesë kishte ndodhur me aprovimin e menaxherit të kontratës, pa aprovimin e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së.
Madje për këto vonesa nuk ishin aplikuar fare ndëshkimet e parapara sipas ligjit.
“Në katër pagesa për blerje të aparaturave mjekësore në vlerë të përbashkët prej 927,200€, janë evidentuar vonesa në liferimin e mallrave përtej afateve të përcaktuara kontraktuale. Përkundër këtyre vonesave, nuk kemi gjetur dëshmi se janë aplikuar penalët e parapara me kontratë. Afatet e zgjatjes së kohës së liferimit ishin aprovuar nga Menaxheret e kontratave pa e marrë aprovimin e ZKA-së. Vonesat e identifikuara variojnë nga 3 ditë deri në 52 ditë”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, shtyrja e afatit të liferimit pa autorizimet e duhura është në kundërshtim me kontratat e rregullta sipas ligjit.
“Kjo ka ndodhur si rezultat i mos respektimit të procedurave të përcaktuara për ndryshime kontraktuale dhe mungesës së monitorimit efektiv të zbatimit të kontratave. Vonesat në liferimin e mallrave kanë ndikuar në mosrealizimin me kohë të aktiviteteve dhe projekteve të SHSKUK-së, ndërsa ndryshimi i kushteve kontraktuale pa autorizimet e duhura cenojnë transparencën dhe menaxhimin e rregullt të kontratave”, thuhet në raport.
ZKA i ka kërkuar Bordit Drejtues dhe Drejtorit të përgjithshëm që të marr masa në këtë rast.
Spitali i Prizrenit pagoi avanc mbi 340 mijë Euro
Në raportin e ZKA-së është evidentuar një tjetër gjetje në Spitalin e Prizrenit ku janë paguar mbi 340 mijë euro avanc duke e rrezikuar buxhetin publik.
“SHSKUK, respektivisht Spitali i Përgjithshëm Prizren, ka ekzekutuar në muajin dhjetor pagesën në formë avansi prej 15% në vlerë prej 341,502€, për projektin “Renovimi dhe riorganizimi i reparteve pediatri dhe interno Spitali i Përgjithshëm”. Ekzekutimi i avancit ishte paraparë në kontratë, ndonëse ekzekutimi ishte bërë në kundërshtim me kufizimet ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas ZKA-së kjo mënyrë e pagesës së avancit e ekspozon direkt buxhetin publik ndaj rrezikut të keqpërdorimit.
“Kjo ka ndodhur si rezultat i dështimit të kontrolleve në procesin e certifikimit dhe ekzekutimit të pagesës me ç‘rast është lejuar ekzekutimi i pagesës duke mos u aplikuar kufizimet ligjore të fund vitit, duke u bazuar në kushtet e kontratës. Dhënia e avanceve në kundërshtim me kufizimet ligjore ekspozon buxhetin ndaj rrezikut të përdorimit jo të rregullt të fondeve publike”, thuhet në raport.
ZKA edhe në këtë rast i ka kërkuar Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe drejtorit të Përgjithshëm që të sigurohen për respektimin e kufizimeve ligjore në ekzekutimin e pagesave për investime kapitale.
ZKA në këtë raport ka gjetur disa parregullsi në regjistrimin e pasurive kapitale, keqklasifikimin e shpenzimeve të prezantuara, prezantim jo i drejtë i informatave mbi buxhetin, etj. /Gazeta Shneta/


