Një studim i ri ka zbuluar se mijëra pacientë që kanë nevojë për transplant të veshkës nuk arrijnë asnjëherë të futen në listën e pritjes për organ, pavarësisht se janë referuar për trajtim.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Clinical Research dhe i prezantuar në Kongresin Amerikan të Transplantimit në Boston, analizoi të dhënat e më shumë se 720 mijë pacientëve në Shtetet e Bashkuara.
Rezultatet tregojnë se vetëm 19 për qind e pacientëve të referuar për transplant përfundojnë të gjitha vlerësimet e nevojshme për t’u futur në listën e pritjes, ndërsa gati gjysma nuk e nisin fare procesin.
Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Conor Donnelly nga Shkolla e Mjekësisë NYU Grossman në Nju Jork, shumë pacientë largohen nga procesi shumë përpara se të kenë mundësinë të marrin një organ.
“Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që kanë nevojë për një veshkë të re nuk arrijnë as deri te lista e pritjes, e lëre më te operacioni i transplantimit”, tha ai.
Studiuesit identifikuan disa faktorë që ndikojnë në mundësinë e pacientëve për të vazhduar procesin. Personat më të moshuar, ata me të ardhura më të ulëta, pacientët e pamartuar, banorët e zonave rurale dhe ata që flasin spanjisht kishin më pak gjasa të përfundonin procedurat e nevojshme. Gjithashtu, pacientët që trajtoheshin në qendra më të vogla shëndetësore ose jetonin në jug të SHBA-së rezultuan më pak të favorizuar.
Procesi i vlerësimit për transplant është i gjatë dhe kompleks. Pas referimit, pacientët duhet t’i nënshtrohen një sërë ekzaminimesh, përfshirë analiza të gjakut, imazheri të kraharorit dhe kontrolle për kancer, ndërkohë që vazhdojnë seancat e rregullta të dializës disa herë në javë.
Studimi vuri në dukje se pacientët që jetojnë në zona urbane, ku qendrat e transplantimit janë më afër, kanë më shumë mundësi të përfundojnë procedurat. Në anën tjetër, mungesa e mbështetjes familjare apo sociale e bën më të vështirë pjesëmarrjen në vizitat dhe kontrollet e shumta që kërkon procesi.
Të dhënat e studimit u bazuan në mbi 300 milionë regjistra elektronikë shëndetësorë nga më shumë se 1.850 spitale amerikane, përfshirë mbi një të tretën e qendrave të transplantimit në vend.
Aktualisht, rreth 90 mijë persona në SHBA presin një transplant të veshkës. Sipas të dhënave të sistemit kombëtar të transplantimit, çdo ditë 11 pacientë humbin jetën duke pritur një organ të përshtatshëm.
Autorët e studimit theksojnë se përmirësimi i edukimit të pacientëve dhe ofrimi i mbështetjes gjatë procedurave të vlerësimit mund të ndihmojnë në rritjen e qasjes në transplantimin e veshkave, një trajtim që shpesh është shpëtimtar për jetën.


