Rreth 2.9 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me sklerozë multiple (MS).
Ashpërsia e sëmundjes MS mund të përkeqësohet me kalimin e kohës, shkruan burimi Medical News Today.
Ekzistojnë disa faktorë rreziku për MS, duke përfshirë dietën ushqyese dhe shëndetin e zorrëve.
Një studim i ri paraklinik i kryer te minjtë sugjeron se raporti mes dy llojeve të baktereve në mikrobiomën e zorrëve mund të jetë në gjendje të parashikojë ashpërsinë e sëmundjes, transmeton Gazeta Shneta.
Rreth 2.9 milionë njerëz në botë jetojnë me MS, një çrregullim kronik neurologjik ku sistemi imunitar i trupit sulmon sistemin nervor qendror.
Personat me MS mund të përjetojnë nivele të ndryshme të ashpërsisë së sëmundjes. Simptomat e MS mund të përkeqësohen, të shpërthejnë ose të zgjerohen me kalimin e kohës, një fenomen i njohur si përkeqësim i MS.
Ka disa faktorë rreziku për MS, përfshirë faktorët e pandryshueshëm si gjenetika dhe faktorët e ndryshueshëm si duhanpirja, mungesa e vitaminës D, dieta dhe shëndeti i zorrëve. Ky i fundit përfshin edhe një mikrobiomë të çekuilibruar të zorrëve.
Ashutosh K. Mangalam, PhD, profesor i asociuar i patologjisë në Carver College of Medicine në Universitetin e Iowa, shpjegoi për Medical News Today se:
“Ka disa faktorë mjedisorë që mund të kontribuojnë në MS, përfshirë infeksionet virale, ekspozimin ndaj diellit (dhe vitaminën D) dhe bakteret në zorrët tona, të cilat kanë marrë shumë vëmendje vitet e fundit. Studimi ka treguar se bakteret që gjenden te njerëzit me MS ndryshojnë nga ato te individët e shëndetshëm”.
Mangalam është autori kryesor i një studimi të ri të publikuar së fundmi në revistën “PNAS”, i cili zbuloi se raporti mes dy llojeve të baktereve në mikrobiomën e zorrëve mund të parashikojë ashpërsinë e sëmundjes te personat me MS.
Shkencëtarët zbuluan se një lloj bakterie i quajtur Blautia ishte më i zakonshëm te pjesëmarrësit në studim që kishin MS. Kërkimet e mëparshme tregojnë se Blautia ndihmon në ruajtjen e shëndetit të zorrëve dhe uljen e inflamacionit.
Mes tjerash, ata zbuluan gjithashtu se pjesëmarrësit me MS kishin nivele më të ulëta të bakterit Prevotella. Studime të mëparshme e kanë lidhur një çekuilibër të Prevotella-s në mikrobiomën e zorrëve me disa sëmundje.
“Zbulimi se Blautia është më e zakonshme te pacientët me MS ndërsa Prevotella gjendet në sasi më të ulëta, është i rëndësishëm sepse sugjeron se popullata të caktuara bakteriale mund të jenë të lidhura me sëmundjen,” shpjegoi Mangalam. /Gazeta Shneta/


