Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimi e Sëmundjeve (CDC), kanë thënë se është e sigurt për gratë shtatzëna të marrin vaksinën COVID-19, duke hedhur poshtë pretendimet e rreme se vaksinat shkaktojnë infertilitet ose aborte.
Udhëzimi i përditësuar i qendrës CDC, erdhi të mërkurën pas një analize të të dhënave të reja të sigurisë në 2,500 gra ku u zbulua se ato që kishin marrë të paktën një dozë të vaksinave ARN (Pfizer/BioNTech ose Moderna) para 20 javëve të shtatzënisë nuk kishin rrezik të shtuar të abortit.
“CDC inkurajon të gjithë gratë shtatzënë ose gratë që po mendojnë të mbeten shtatzënë dhe ato që janë gjidhënëse të vaksinohen për t’u mbrojtur nga COVID-19,” tha drejtoresha e CDC-së, Dr. Rochelle Walensky, shkruan Medical News Today.
“Vaksinat janë të sigurta dhe efektive, dhe nuk ka qenë kurrë më urgjente të shtojmë vaksinimet pasi përballemi me variantin Delta shumë të transmetueshëm dhe shohim rezultate të rënda nga COVID-19 tek gratë shtatzëna të pavaksinuara”.
Shtetet e Bashkuara aktualisht po përballen me një rritje të rasteve të COVID-19 për shkak të variantit shumë infektiv – Delta. Spitalet gjithashtu kanë vërejtur një rritje të mprehtë të grave shtatzëna që sëmuren nga infeksioni COVID në javët e fundit përcjell Gazeta Shneta.
CDC rendit diabetin, obezitetin dhe shtatzëninë si kushte që rrisin rrezikun e një personi për t’u sëmurë më rëndë nga COVID-19. Gratë shtatzëna gjithashtu kanë më shumë gjasa të vuajnë nga komplikime, të tilla si abortet dhe lindjet e foshnjës së vdekur, nëse infektohen me virusin.
Nuk ka asnjë dëshmi që ndonjë vaksinë, përfshirë vaksinat COVID-19, të çojë në probleme të fertilitetit tek gratë ose burrat. /Gazeta Shneta/