Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka reaguar ashpër për dorëheqjen e kirurgut Besnik Bicaj nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale. Bicaj dha dorëheqje para tri ditësh nga kjo klinikë. Ai nuk ka treguar publikisht arsyet për këtë, përveç letrës që ka dërguar në drejtori. Nga kjo e fundit ende nuk i është aprovuar dorëheqja
Kryesia e FSSHK-së ka dal sot me një reagim ku e kanë konsideruar si shqetësuese dorëheqjen e kirurgut Bicaj. Madje sindikalistët kanë akuzuar edhe menaxhmentin e klinikës duke i quajtur të padijshëm dhe të papërgjegjshëm, transmeton Gazeta Shneta.
“Duke pasur parasysh kohën kur vendit tonë po i ikin njerëzit e kualifikuar dhe të dëshmuar në punët e përditshme. Kur i shtohet kësaj edhe ikja e profesionistëve shëndetësorë për shkaqe të keq menaxhimit, risistemimit sipas kritereve të përshtatshmërisë politike, inateve, smirës dhe plotësimit të tekave të disa menaxherëve të padijshëm dhe të papërgjegjshëm atëherë arrihet kulmi i pakënaqësisë dhe i dezorganizimit të sistemit shëndetësor”, thuhet në reagimin e FSSHK-së.
“Ftojmë Ministrin e Shëndetësisë për ndërhyrje urgjentë në këtë rast siç është rasti i dorëheqjes nga puna në sistemin publik shëndetësor të kirurgut të mirënjohur Dr. Besnik Bicaj i cili këtë veprim e ka ndërmarrë si pasojë e presionit menaxherial”, thuhet në reagimin e FSSHK-së.
Sindikalistët po konsiderojnë se ky nuk është rasti i vetëm dhe ekziston rreziku që kjo të kthehet në dukuri, duke krijuar kështu humbje për QKUK-në dhe pacientët.
Deri më tani nuk është dhënë arsyeja zyrtare për dorëheqjen e Bicajt, por sipas burimeve të pakonfirmuara, ai është larguar pasi nuk ishte pajtuar me ndryshimet që janë bërë në ekipet kujdestare. Menaxhmenti i kësaj klinike kishte vendosur për ndryshime në tetë ekipet e kirurgëve, për çka Bicaj nuk kishte qenë dakord. /Gazeta Shneta/