Sindikata e Infermierëve ka dal në mbrojtje të kolegëve të tyre në Klinikën Emergjente, disa prej të cilëve nuk ishin në vendin e punës gjatë një inspektimi të Komisionit për Kontroll të Brendshëm.
Ky komision ka bërë një inspektim më datën një nëntor rreth orës 08:30 dhe ka konstatuar se 12 teknikë dhe infermierë nuk kanë qenë në vendin e punës, shkruan Gazeta Shneta.
Kundër penalizimit të tyre në procedura disiplinore ka dal Sindikata e Infermierëve të cilët po konsiderojnë se Komisioni ka bërë shkelje procedurale.
“Konsiderojmë që për të qenë valide një kontrollë rutinë apo e rregullt duhet që Komisioni të jetë në përbërje të plotë, të njoftohet Drejtori i Përgjithshëm të cilit i përgjigjet ky komision për kohën dhe lokacionin e vizitës si dhe të njoftohet Drejtori dhe Kryeinfermieri i Klinikës në të cilën do realizohet vizita”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Reagimi i plotë:
Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor të Kosovë shprehë shqetësim dhe kundërshton çdo penalizim të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor, procedimin në Komision Diciplinor të tyre duke shkelur procedurat e Komisioni të Kontrollit të Brendshëm.
Konsiderojmë që për të qenë valide një kontrollë rutinë apo e rregullt duhet që Komisioni të jetë në përbërje të plotë, të njoftohet Drejtori i Përgjithshëm të cilit i përgjigjet ky komision për kohën dhe lokacionin e vizitës si dhe të njoftohet Drejtori dhe Kryeinfermieri i Klinikës në të cilën do realizohet vizita.
Për shkak të ruajtjes së parimit të transparencës, parimit të drejtësisë dhe proceseve fer, vizitat gjatë të cilave bëhet anashkalimit i njërës nga procedurat e lartëcekura, edhe pse ne nuk i përcaktojmë rregullat e operimit të komisioneve respektive, konsiderojmë që një vizitë e tillë nuk është valide, pa përjashtuar edhe qëllimet tendencioze, personale apo të tjera.
Publikimi i emrave dhe inicialeve të punëtorëve shëndetësor në media, krijon kushte adekuate për paragjykim, lejon hapsirë për keqinterpretime, e njollosë emrin dhe konteston vetë profesionalizmim e kolegëve.
Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor të Kosovës do i monitoroj të gjitha veprimet e këtij komisioni dhe do shfrytëzojë të gjitha masat dhe veprimet sindikale duke mos përjashtuar edhe bojkotin dhe protestën deri në shfuqizimin dhe anulimin e procedimeve apo vërejtjeve të cilat i konsiderojmë invalide dhe joligjore.
Le të jetë e ditur që Sindikata e Infermierëve të Kosovës e mbështetë fuqishëm respektimin e detyrave dhe obligimeve që dalin nga kontrta e punës, përfshi edhe respektimin e orarit të punës dhe në asnjë rast nuk e amneston, nuk e mbronë dhe nuk e arsyeton mosrespektimin e këtyre obligimeve, me ç’rast të gjithë anëtarëve të Sindikatës së Infermierëve të Kosovës u bënë thirrje që t’i respektojnë me përpikmëri obligimet, detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga kontrata e punës.
Sindikata e Infermierëve të Kosovës