Kohët e fundit, gjendja në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është bërë temë e disa ankesave nga prindër të pacientëve, të cilat janë kundërshtuar nga drejtuesit e QKUK-së, duke deklaruar se klinika ofron shërbime sipas mundësive dhe standardeve të përcaktuara.
Një tjetër reagim nga një prind ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për kushtet në këtë klinikë. Një nënë ka ndarë përvojën e saj gjatë qëndrimit me fëmijën e saj dyvjeçar në Pediatrinë e QKUK-së, duke ngritur kritika për higjienën, sistemimin dhe organizimin brenda repartit, përcjell Gazeta Shneta.
Në reagimin e saj, ajo shkruan se fëmija u dërgua në QKUK pas disa ditësh me të vjella dhe diarre, ndërsa pas vlerësimit mjekësor dhe analizave u vendos që të shtrohej në Pediatri.
Sipas saj, pritja dhe pranimi në repart ishte vetëm fillimi i një përvoje të vështirë.
“Fillimisht pritëm rreth 20 minuta që dikush të vinte të na pranonte. Pastaj, nga fundi i korridorit, u dëgjua një britmë: ‘A ka fëmijë këtu?’”, shkruan ajo.
Nëna rrëfen se vendosja e kanilës te fëmija kërkoi disa tentativa.
“Një shpim. Pa sukses. Dy shpime. Pa sukses”, shkruan ajo, duke theksuar se bëhej fjalë për një fëmijë të sëmurë, të lodhur dhe të frikësuar.
Ajo shpreh shqetësime edhe për sistemimin në dhomë dhe trajtimin e rasteve me sëmundje infektive.
“Na thanë të shkonim në një dhomë, por të kishim kujdes të mos kishim kontakt me pacientin aty, sepse mund t’ia ngjitnim. Nuk kishte dhomë tjetër”, shkruan nëna.
Sipas saj, gjendja e dhomës dhe hapësirave sanitare ishte një tjetër problem.
“Shtrati ku duhej të shtrihej fëmija ynë kishte njolla të shumta. Disa prej tyre dukeshin si gjak apo mbetje të vjetra biologjike”, thuhet në reagim.

Ajo pretendon se mungonin edhe gjërat bazike higjienike.
“Kërkuam çarçaf. Nuk kishte. Sapun? Nuk kishte. Faculeta, palloma apo mjete të tjera bazike higjienike? Aq më pak”, shkruan ajo.

Nëna thekson se nuk kërkon kushte luksoze, por standarde minimale për një institucion ku trajtohen fëmijë.
“Nuk po kërkojmë luks. Nuk po kërkojmë dhoma private. Nuk po kërkojmë televizor. Po kërkojmë pastërti. Po flasim për sapun. Për një çarçaf të pastër. Për një dyshek pa njolla me origjinë të panjohur”, shkruan ajo.
Ajo kritikon edhe mënyrën e komunikimit me prindërit, duke theksuar se sakrifica e tyre nuk duhet të zëvendësojë përgjegjësitë e sistemit shëndetësor.
“Gatishmëria e një nëne për të vuajtur për fëmijën e saj nuk është politikë shëndetësore. Dhe dashuria e prindit nuk mund të përdoret si subvencion për dështimin e sistemit”, shkruan ajo.
Në fund të reagimit, nëna përshkruan edhe një situatë kur kërkoi që fëmijës t’i hiqej kanila, por sipas saj pati vonesa dhe mungesë koordinimi mes ndërrimeve të stafit.
Duke iu referuar veprës së Dante Alighierit, ajo shkruan në mënyrë ironike se po ta kishte vizituar Pediatrinë e QKUK-së, ai do ta kishte njohur edhe “rrethin e dhjetë të Ferrit”. /Gazeta Shneta/



