Nga tetori i vitit të kaluar deri në shkurt të këtij viti sipas të dhënave të Instiutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë janë prekur 214 persona me grip me infulenzën A dhe B.
Pas këtyre statistikave Instituti ka shpallur edhe gjendjen epidemike me gripin sezonal, por është deklaruar se është nën kontroll. “Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, pritet të vazhdojë intensitet i lartë edhe muajin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Në anën tjetër drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK Dr. Lindita Ajazi-Berisha ka konfirmuar për Gazetën Shneta se deri më sot kanë vdekur 6 persona nga gripi sezonal. Ajo ka treguar se një prej viktimave ka qenë 28-vjeçare ndërsa një tjetër 47-vjeç.
“Deri më tani në Klinikën Infektive kanë qenë 6 raste fatale, 4 prej tyre me sëmundje të mëparshme kronike të njohura; një e moshës 28 vjeç e cila krahas sëmundjes së gripit paraprakisht ka pasur edhe një intervenimit kirurgjik dhe një rast 47 vjeç i cili nuk ka patur të dhëna për sëmundje tjera shoqëruese”, ka deklaruar Ajazi-Berisha.
Ajo ka thënë se situata epidemiologjike është nën kontroll, megjithëse gjatë muajit shkurt ka pasur fluks të pacientëve. “Gjatë muajit shkurt kemi fluks më të madh të rasteve duke patur parasysh që gripi sezonal ka kaluar pragun epidemik dhe ka rritur intensitetin nga i mesëm në të lartë. Format e lehta janë trajtuar në mënyrë ambulantore ndërsa pacientët me ecuri më të rëndë të sëmundjes janë spitalizuar”, ka thënë doktoresha. /Gazeta Shneta/