Barnatorja Qendrore ende nuk i ka furnizuar me penj kirurgjik, ndërsa kirurgët nuk po pranojnë që t’ua përshkruajnë recetat pacientëve për blerjen e këtij materiali në sektorin privat.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës vazhdon të mbetet me mungesë të penjve kirurgjik, sikurse edhe spitalet rajonale, shkruan Gazeta Shneta.
Për mungesën e penjve QKUK është arsyetuar se procedura për blerjen e tyre ka qenë në OSHP dhe vazhdon të mbetet në proces në Zyrën e Prokurimit.
E mungesa e penjve përveç pacientëve, ka revoltuar edhe kirurgët të cilët nuk po pranojnë t’ua përshkruajnë pacientëve recetat për të blerë këtë material në barnatoret private.
“Për me operua klinika duhet me i siguru penjtë. Ky është debati. Me ua përshkrua pacientëve pastaj po lindin probleme. Ata po ankohen tek ne pse me i ble, qysh nuk ka. Poashtu ne nuk kemi ndonjë shkresë zyrtare që na lejon t’ua përshkruajmë”, ka thënë njëri nga kirurgët e bllokut kirurgjik në QKUK.
Gazeta edhe ditë më parë ka raportuar për mungesën e penjve në QKUK dhe spitale rajonale. Vetëm në Spitalin e Mitrovicës penjtë mungojnë tash e një vit. Atje është publikuar një listë e penjve të cilët mungojnë dhe që pacientët duhet t’i blejnë vet për t’iu nënshtruar operacioneve. /Gazeta Shneta/