Programi operativ është anuluar dje në Kirurgjinë Vaskulare pasi askush nga punonjësit nuk pranoi t’i çojë në sallë pacientin dhe setin kirurgjik
Një ngjarje skandaloze ka ndodhur dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, konkretisht në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare ku është anuluar programi operativ dhe pacientët që kanë pritur për ndërhyrje kirurgjike nuk kanë mundur t’i kryejnë ato, shkruan Gazeta Shneta.
Krejt kjo situatë është krijuar për shkak se punonjësit e QKUK-së nuk kanë pranuar t’i çojnë në sallë pacientin dhe setin kirurgjik.
Gazeta ka mësuar nga burime brenda QKUK-së se infermierët e sterilizimit kanë refuzuar ta çojnë setin kirurgjik në bllokun operativ, ndërsa pastruesit nuk kanë pranuar të kryejnë rolin e bartësit për ta çuar pacientin në sallë. Pacientin në sallë nuk pranuan ta bartin as instrumentarët e bllokut, sikurse kanë refuzuar njëjtë edhe teknikët e anestezionit.
Dështimin e programit operativ e ka konfirmuar edhe vet drejtori i Klinikës, Hajriz Rudari. Ai ka thënë se kjo situatë ka ndodhur për shkak të mungesës së punëtorit të sterilizimit, sektori ky i ndarë nga menaxhimi i klinikës.
“Mungesa e punëtorit të sterilizimit (për të cilin ne nuk kemi qenë të informuar me kohe, si menaxhment i Klinikës Vaskulare) pasiqë sektori i sterilizimit nuk menaxhohet nga Klinika vaskulare. Mirëpo përkundër kësaj sot ka vazhduar programi dhe është punuar sipas programit”, ka deklaruar Rudari.
Ai ka thënë se kjo situatë nuk do të përsëritet më, pasi sipas tij janë marr masa ndaj personave që supozohet se janë fajtorët.
“Ju informojmë se kjo nuk do mund të përsëritet më sepse janë ndërmarr masa adekuate disiplinore konform ligjit të punës ndaj stafit që supozohet se ishin shkaktarë për dështimin e programit operativ”, ka deklaruar Rudari.
Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga menaxhmenti i SHSKUK-së, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje për të treguar arsyet e kësaj situate si dhe masat që janë marrë. /Gazeta Shneta/