Vetëm një në katër të rritur amerikanë që jetojnë me skizofreni marrin një trajtim të konsideruar “minimalisht adekuat”, sipas të dhënave më të reja shkencore. Ky realitet shqetësues nxjerr në pah boshllëqe të mëdha në sistemin e kujdesit për shëndetin mendor, pavarësisht ekzistencës së shërbimeve shëndetësore dhe mbulimit me sigurim.
Raporti, i cituar nga Health Day bazohet në të dhënat e “Studimit të Prevalencës së Çrregullimeve Mendore dhe të Përdorimit të Substancave” në SHBA.
Studimi përfshiu gati 4,800 të rritur të moshës 18 deri në 65-vjeç, të anketuar gjatë viteve 2020–2022. Nga ky grup, 114 persona kishin të diagnostikuar skizofreninë, transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit, të udhëhequr nga Natalie Bareis, profesoreshë e mjekësisë klinike në Universitetin e Kolumbisë, zbuluan se shumica e pacientëve me skizofreni përballen edhe me probleme të tjera serioze të shëndetit mendor.
Më shumë se gjysma e tyre, rreth 52%, kishin gjithashtu depresion, ndërsa 17% ishin diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD).
Mendimet dhe përpjekjet për vetëvrasje ishin dukshëm më të shpeshta në këtë grup.
Përveç kësaj, 23% e pacientëve kishin çrregullim të përdorimit të alkoolit dhe 20% përdornin kanabis.
Edhe pse pothuajse të gjithë kishin mbulim shëndetësor dhe 70% kishin marrë një formë trajtimi gjatë vitit të fundit, vetëm 30% po merrnin mjekim antipsikotik në momentin e intervistimit.
Gjetjet u publikuan më 23 shtator në revistën “Psychiatric Services”. /Gazeta Shneta/


