Një studim i ri ka treguar se njerëzit që vuajnë nga obeziteti, diabeti i tipit 2 dhe sëmundja kronike e veshkave kanë më pak gjasa të përjetojnë përparimin e sëmundjes së veshkave pas kryerjes së kirurgjisë bariatrike, krahasuar me ata që trajtohen me ilaçe të tipit GLP-1.
Sëmundja kronike e veshkave shpesh zhvillohet si pasojë e diabetit të tipit 2, i cili lidhet ngushtë me obezitetin. Kjo gjendje përbën gjithashtu një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë tek personat me diabet. Për këtë arsye, gjetja e trajtimeve më efektive për ngadalësimin e përparimit të sëmundjes është me rëndësi të madhe, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studimit të kryer nga Klinika Kleveland, kirurgjia bariatrike rezulton dukshëm më efektive në uljen e progresionit të sëmundjes së veshkave sesa trajtimi me ilaçe GLP-1, të cilat përdoren gjerësisht për menaxhimin e diabetit dhe humbjen e peshës.
Përveç zvogëlimit të madhësisë së stomakut, kirurgjia bariatrike shkakton edhe ndryshime të rëndësishme metabolike që reduktojnë oreksin dhe përmirësojnë kontrollin e sheqerit në gjak.
Rezultatet tregojnë se pacientët që iu nënshtruan operacionit kishin 60% më pak rrezik për përparimin e dëmtimit të veshkave dhe 44% më pak rrezik për dështim të veshkave.
Studimi përfshiu gjithsej 425 pjesëmarrës, nga të cilët 183 iu nënshtruan kirurgjisë bariatrike, ndërsa 242 u trajtuan me ilaçe GLP-1. Pjesëmarrësit u ndoqën për një periudhë mesatare prej 5.8 vjetësh.
Studimi i publikuar në revistën “Annals of Surgery”, thekson rëndësinë e vlerësimit të kirurgjisë bariatrike si një alternativë serioze për përmirësimin e shëndetit afatgjatë te pacientët me obezitet, diabet dhe sëmundje kronike të veshkave. /Gazeta Shneta/


