Somali, dyndje në spitale për kolerën

2017-03-29 në ora 10:57

Shumë njerëz të cilët jetojnë në fshatrat e ndikuara nga thatësirat, konsumojnë ujë të ndotur dhe si rrjedhojë vijnë në spital me simptoma të kolerës ose diarresë

Spitalet në Somali janë të mbipopulluara me pacientë që vuajnë nga kolera dhe diarreja, të shkaktuara nga thatësirat që kanë kapluar vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për AA, doktoresha Selima Abdullah, thotë se në 3 muajt e fundit 36 persona kanë humbur jetën për shkak të thatësirave në vend.

Abdullah thotë se për shkak të thatësirave, shumë njerëz të cilët jetojnë në fshatrat e ndikuara nga thatësirat, konsumojnë ujë të ndotur dhe si rrjedhojë vijnë në spital me simptoma të kolerës ose diarresë.

Ajo thotë se në fshatra nuk ka qendra shëndetësore dhe si rrjedhojë të sëmurit detyrohen të përshkojnë 50-60 kilometra hipur në gomarë për të ardhur në spitalet e qytetit.

I tillë është edhe Abdullah Salah Ali, 41-vjeç. Ai shpjegon se edhe pse në vështirësi të mëdha, ka mundur të sjellë fëmijët e tij të cilët janë me diarre, në spital.

Abdullah thotë se ka sjellë 2 fëmijët e tij, njëri 3 dhe tjetri 4.5-vjeç. ”Prej ditësh janë sëmurë dhe po treten nga kjo sëmundje. Nëna e tyre e cila u detyrua të qëndrojë në fshat është në gjendje shumë të vështirë”, thotë ai.

Fëmijët kanë nevojë imediate për ndihmë

Ndërkohë që shumë fëmijë presin të shërohen në spitalin e rajonit Baydova, OJF-të ndërkombëtare ngrenë alarmin se më shumë se 70 mijë fëmijë kanë nevojë imediate për ndihmë në këtë vend, si pasojë e tahtësirave të shumta.

Higjiena dhe mundësia për medikamente lënë për dëshiruar në spitalet e këtij vendi, veçanërisht fëmijët ndodhen në gjendje shumë të vështirë. Madje shumë prej tyre janë tretur ku mund të duket qartë kocka në trup.

Farhan Ibrahim, një doktor në spitalin rajonal të Baydova-s thotë se aktualisht ka 30 fëmijë të moshës 1-1.5 vjeç të cilët kurohen në këtë vend.

Ibrahim thotë se shumë nëna nuk gjejnë dot ushqim në fshatra për shkak të thatësirës dhe se si rrjedhojë nuk mundin të ushqejnë fëmijët e tyre. Ai thekson se shumë fëmijë të vegjël sëmuren për shkak të mungesës së ushqimit. Ndërsa thotë se edhe pse të shtruar ata vijnë në vete brenda 10 ditëve.

Populli strehohet në kampe

Somalezët ikin nga fshatrat ku thatësira është e theksuar dhe shkojnë drejt qyteteve, ndërkohë personat e ardhur në këto qytete strehohen në kampe. Ndërkohë edhe rastet më të larta të vdekjeve janë pikërisht në këtë rajon.

Në qytetin Baydova ka më shumë se 150 kampe. Mijëra persona jetojnë mes kushteve të vështira në këto kampe. Ata mundohen të qëndrojnë në jetë me një ujë dhe vakt ushqim të shpërndarë në ditë.

Në Somali operojnë edhe Gjysmë Hëna e Kuqe e Turqisë si dhe shoqata të tjera si IHH, ndërsa 6.2 milionë banorë të këtij vendi me një popullsi rreth 12 milionë banorë në total, kanë nevojë imediate për ushqime, ujë dhe medikamente.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), përmes një deklarate me shkrim javën e shkuar, tha se që nga fillimi i këtij viti deri më tani, 13 mijë persona janë infektuar me virusin e kolerës nga të cilët 343 prej tyre kanë humbur jetën.