Qeveria e Spanjës ka njoftuar se do të vendosë një ndalim për shitjen e pijeve energjike për fëmijët nën moshën 16 vjeç, si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit të të rinjve.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i të drejtave sociale, Pablo Bustinduy, i cili theksoi se vendimi bazohet në të dhëna që paralajmërojnë për rreziqet e konsumimit të kafeinës tek adoleshentët, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas rregullores së re, kufizimi do të jetë edhe më i rreptë për pijet me përmbajtje shumë të lartë kafeine. Pijet që përmbajnë më shumë se 32 miligramë kafeinë për 100 mililitra nuk do të lejohen të shiten për personat nën 18 vjeç.
Kjo nismë është pjesë e një pakete më të gjerë masash që synojnë të mbrojnë shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve.
Në disa rajone të vendit tashmë ekzistojnë rregulla të ngjashme, ndërsa qeveria qendrore synon të vendosë standarde të njëjta në gjithë vendin.
Në vitet e fundit janë ndërmarrë edhe hapa të tjerë në këtë drejtim.
Ministria së fundmi përfshiu pijet energjike në listën e produkteve të ndaluara për reklamim që synojnë të miturit.
Ndërkohë, në vitin 2024 një dekret për ushqimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm në shkolla ndaloi tashmë shitjen e këtyre pijeve në shkolla dhe kolegje.
Sipas të dhënave nga “Spanish Agency for Food Safety and Nutrition”, rreth 90 për qind e qytetarëve në Spanjë mbështesin ndalimin e shitjes së pijeve energjike për të miturit, ndërsa mbështetja mes të rinjve 18–35 vjeç arrin mbi 88 për qind.
Ndërkohë, disa vende të tjera evropiane kanë ndërmarrë masa të ngjashme.
Lituania dhe Latvia ishin ndër të parat në Bashkimin Evropian që ndaluan shitjen e pijeve energjike për personat nën 18 vjeç, ndërsa vende si Bullgaria, Hungaria, Polonia dhe Romania kanë vendosur kufizime të ndryshme për blerjen dhe konsumimin e tyre. Qëllimi i këtyre masave është ulja e konsumit të lartë të kafeinës tek të rinjtë dhe mbrojtja e shëndetit të tyre. /Gazeta Shneta/




