Një raport i ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), paralajmëron se rajoni evropian mund të mbetet konsumatori më i madh i duhanit në botë deri në vitin 2030.
Rajoni i organizatës përfshin 53 vende në Evropë dhe Azi Qendrore dhe megjithëse përdorimi i duhanit tradicional është në rënie, produktet e reja me nikotinë po tërheqin gjithnjë e më shumë të rinjtë, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas drejtorit rajonal për Evropën të OBSH-së, Hans Kluge, përdorimi i duhanit shkakton më shumë se 1.1 milion vdekje çdo vit nga sëmundje jo-ngjitëse në këtë rajon.
Ai paralajmëroi se pa masa më të forta, Evropa do të vazhdojë të ketë performancën më të dobët në botë për kontrollin e duhanit.
Në vitin 2024 rreth 173 milion njerëz në rajonin evropian përdornin produkte duhani. Një shqetësim i madh është rritja e përdorimit të cigareve elektronike dhe produkteve me nikotinë të aromatizuar, të cilat po tërheqin një brez të ri përdoruesish.
Të rinjtë konsiderohen grupi më i rrezikuar. Rreth katër milion adoleshentë të moshës 13–15 vjeç përdorin produkte duhani, ndërsa përdorimi i cigareve elektronike në këtë grup arrin rreth 14.3 për qind. Shkalla e përdorimit është pothuajse e njëjtë mes djemve dhe vajzave.
Raporti tregon gjithashtu se në Evropë jetojnë mbi 40 për qind e grave duhanpirëse në botë. Përqindja e grave që pinë duhan në këtë rajon është pothuajse dy herë më e lartë se në kontinentet e tjera. Në disa vende, përdorimi i cigareve elektronike është madje më i lartë tek vajzat sesa tek djemtë.
Sipas ekspertëve, kjo lidhet me strategjitë e industrisë që promovojnë produkte me shije të ndryshme dhe reklama të synuara në rrjetet sociale. Disa vende evropiane si Belgjika, Danimarka dhe Holanda kanë ndërmarrë masa duke kufizuar aromat dhe reklamat.
Megjithatë, vetëm 18 nga 53 vendet e rajonit kanë ligje që ndalojnë plotësisht pirjen e duhanit në hapësirat publike. Organizata thekson se nevojiten politika më të forta për të mbrojtur brezat e ardhshëm nga varësia ndaj nikotinës. /Gazeta Shneta/


