Dhjetëra specializantë përmes një proteste sot kanë kërkuar t’ju paguhen kujdestaritë që i mbajnë në klinikat e QKUK-së.
Dhjetëra specializantë kanë protestuar sot para administratës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, ku kanë kërkuar t’iu paguhen kujdestaritë e mbajtura që nuk i kanë obligim me Udhëzimin Administrativ për Shkollim Specialistik, shkruan Gazeta Shneta.
Arianit Zajmi, njëri nga përfaqësuesit e specializantëve, ka deklaruar se në bazë të UA-së ata e kanë për obligim të mbajnë së paku dy kujdestari. Por sipas tij, SHSKUK po iu kërkon të mbajnë më shumë kujdestari andaj edhe po kërkojnë të paguhen.
“Në bazë të UA ne e kemi obligim me i mbajë dy kujdestari. Por nëse SHSKUK na kërkon me mbajt më shumë se dy, problemi është se po detyrohemi për me mbajt kujdestari pa pagesë. Ne do të kërkojmë edhe nga MSH të zgjidh këtë situatë”, ka deklaruar Zajmi.
Specializantët në bazë të UA 05/2017 për Shkollim Specialistik nënshkruajnë kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë. Neni 32, pika 1.5 e këtij UA, thotë se specializantët duhet të “mbajë së paku dy (2) kujdestari gjatë muajit për plotësimin e planprogramit të paraparë specialistik, pas parashtrimit të kërkesës nga Komiteti specialistik drejtuar Drejtorit të institucionit përkatës, përveç në rastet kur janë të rregulluara ndryshe me Ligje respektive aktualisht të aplikueshme”.
Zajmi ka deklaruar se institucionet po e hedhin fajin te njëra-tjetra dhe deri më tani askush nuk ka ofruar zgjidhje për ta. Ai ka thënë se një pjesë e kolegëve të tij tashmë kanë bojkotuar punën gjatë vikendeve dhe festave në kujdestari.
Dion Musliu specializant në Ortopedi, tha se ka pasur shumë koleg që janë kërcënuar për largim nga puna nëse nuk mbajnë kujdestaritë. “Ne nuk mund të mbajmë e premte, e shtune e diel dhe ditëve të festave dhe nëse nuk kanë kompensim nuk mund të dalim në punë. Kemi kërkuar të kenë kompensim. Ne kemi ardhur në pozitë të vështirë sepse specializantë kanë presione nga drejtor të klinikave”.
Kujtojmë se nga ky muaj përmes një qarkore informative drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi ka njoftuar drejtorët e klinikave dhe specializantët se nuk mund të vazhdohen pagesa për kujdestari. /Gazeta Shneta/