Ndarja e specializimeve nga Ministria e Shëndetësisë nuk e ka ndal ikjen e mjekëve të rinj nga Kosova. Nga 76 mjekë që kanë kërkuar vërtetimin nga Oda e Mjekëve, 31 prej tyre janë specializantë të rinj
Këto të dhëna janë diskutuar në një tryezë të organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës me temë: Kualiteti i shkollimit universitar dhe pasuniversitar i mjekëve, shkruan Gazeta Shneta.
Sami Uka, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, ka thënë se ky institucion është i interesuar që të bëj planifikim të mirëfilltë të specializimeve në të ardhmen, pasi sipas tij ky proces është degraduar me konkursin e fundit.
“Ne jemi të interesuar që të bëjmë planifikimin e mirëfilltë të specializimeve, e jo sipas ambicieve. Është jetike që të punojmë të gjithë bashkë, UP, FM, Odat dhe MA, që të ngrisim cilësinë e programeve specialistike dhe bazike, dhe ta shohim me sy kritik valën e fundit të specializimeve, përkundër qëllimit të mirë, ka degraduar në mënyrë të skajshme cilësinë e specializimeve”, ka deklaruar Uka.
Ai ka thënë se arsyetimi i ndarjes së specializimeve me ikjen e mjekëve nga Kosova, nuk qëndron.
“Arsyetimi se mungesa e profileve dhe ikja e punëtorëve shëndetësorë, ka bërë që ndarja e specializimeve të bëhet në mënyrë populiste, nuk qëndron. Sepse ikja po bëhet për shkak të mungesës së kushteve, dhe ne duhet të angazhohemi që të krijojmë kushte më të mira”, ka thënë ai.
Kryetari i OMK-së Pleurat Sejdiu ka bërë të ditur se nga 76 mjekë që kanë kërkuar vërtetimin etik për t’u larguar nga Kosova këtë vit, 31 prej tyre janë specializantë të rinj.
“76 kolegë kanë kërkuar vërtetimin për largimin nga Kosova. Nga ta 31 janë mjekë që kanë fituar tani specializimin. Pakënaqësitë e tyre kanë të bëjnë me kushtet. Ndërsa shtatë prej tyre janë specialistë dhe kjo është shqetësuese. Është koha e fundit që MSH dhe MA të ndërmarrin diçka për të parandaluar ikjen dhe të shpëtojmë vlerën më të madhe jo vetëm në shëndetësi”, ka deklaruar Sejdiu. /Gazeta Shneta/