Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të kryetarit të sindikatës, Jusuf Azemi, lidhur me pretendimet për grevë të punëtorëve teknikë në këtë institucion.
Në reagimin zyrtar, spitali i cilëson si të pasakta dhe dezinformuese deklaratat për përfshirjen e tij në këtë çështje, duke theksuar se nuk ka asnjë marrëdhënie pune me punëtorët teknikë.
Sipas njoftimit, shërbimet e higjienës në spital realizohen përmes një operatori ekonomik privat, i cili është punëdhënësi i vetëm dhe mban përgjegjësinë e plotë për pagesat dhe obligimet ndaj punëtorëve, përcjell Gazeta Shneta.
“Ju jeni në dijeni të plotë për këtë realitet. Për këtë arsye, është e papranueshme që publikisht të krijoni perceptim të rremë dhe të përfshini Spitalin në një çështje për të cilën nuk ka përgjegjësi,” thuhet në reagim.
Nga spitali theksohet se përgjegjësia është e qartë dhe i takon kompanisë kontraktuese, e cila duhet të përmbushë detyrimet ndaj punëtorëve të saj.
Po ashtu, institucioni i bën thirrje sindikatës që reagimet dhe kërkesat t’i drejtojë tek punëdhënësi real, dhe jo tek spitali.
Në reagim rikujtohet gjithashtu se që nga viti 2009, spitali nuk ka staf teknik apo të higjienës në marrëdhënie të drejtpërdrejtë pune, pasi ky shërbim është i privatizuar./Gazeta Shneta/




