Gjatë këtij muaji Spitali Regjional “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë të Jugut nuk është furnizuar me dy lloje të barnave nga lista esenciale, “Dexason” dhe “Urbason” shkruan Gazeta Shneta.
Lajmin për mungesë të këtyre dy llojeve të ilaçeve e ka konfirmuar drejtoresha e spitalit, Luljeta Zhubi.
Ajo thotë se kanë bërë kërkesë tek Shërbimi Spitalor Klinik Universitar për furnizim me këto dy lloje të barnave mirëpo tregon se ende nuk është bërë furnizimi.
Drejtoresha poashtu thekson se aktualisht nuk janë mjaftueshëm të furnizuar as me dorëza josterile.
Nga Shërbimi Farmaceutik në ShSKUK thonë se lëndet janë duke u trajtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe si pasojë e kësaj mund të ketë vonesa në furnizim.
“Lëndët janë duke u trajtuar në OShP, si pasojë mund të ketë mungesa për këta artikuj”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit farmaceutik të ShSKUK-së dhënë për Gazetën Shneta.
Në anën tjetër, OShP është pa bord tash e nëntë muaj.
Gazeta ditë më parë ka shkruar edhe për mungesën e penjve kirurgjikal në Spitalin Regjional të Gjilanit, në të cilën ShSKUK tha se tash e një kohë të gjatë problem me furnizime me penj është duke u trajtuar në OShP.
Përveç spitaleve, me mungesë të barnave nga lista esenciale dhe materialeve tjera shpenzuese janë edhe disa nga Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komunë, për të cilat Gazeta ka raportuar. /Gazeta Shneta/
44 produkte mjekësore të cilat MSh nuk arriti t’i siguroj për QKMF-në në Mitrovicë të Jugut