Spitali i Përgjithshëm i Pejës i ka dhënë me qira hapësirat e parkingut me çmim prej 205 mijë euro kompanisë “Albani AA” me kohëzgjatje prej dy vjetësh.
Spitali i Përgjithshëm i Pejës përmes një kontrate publike i ka dhënë me qira hapësirat e parkingut kompanisë “Albani AA LLC” nga Radaci i Pejës, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo kompani ka fituar kontratën me çmim 205 mijë euro dhe do të ketë në shfrytëzim parkingun për dy vite.
Sipas dosjes së tenderit kompania do të ketë në dispozicion 263 parkingje, ndërsa 300 parkingje tjera do të mbeten për shfrytëzim nga personeli i spitalit.
Dosja e ka përcaktuar edhe çmimin e parkingut. Qytetarët e Pejës që hyjnë brenda këtyre hapësira me vetura, do të paguajnë 0.50 Euro për 30 minuta, 1.00 Euro për 1 orë dhe çdo 30 minuta shtesë çmimi do të rritet me nga 0.50 Euro.
Ky është rasti i parë i një spitali publik që i jep në shfrytëzim hapësirat e parkingut një kompanie private. /Gazeta Shneta/