Ministri në detyrë i shëndetësisë Uran Ismaili dhe drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu kanë përuruar sot hapësirat e reja të radiologjisë dhe CT-në e re në Spitalin e Prizrenit.
Ndërtimi i këtij aneksi dhe blerja e aparaturave të reja nga ana e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ka kushtuar mbi 600 mijë euro.
Me këtë rast Sejdiu ka deklaruar se në vazhdimësi janë duke investuar dhe pajisur spitalet me aparaturën më moderne, që qytetarëve t’u mundësojmë ofrimin e shërbimeve sa më profesionale, cilësore, më të afërta dhe më pak të kushtueshme.
“Investimet në Spitalin e Prizrenit janë të orientuara që në të ardhmen Spitali i Prizrenit të jetë si qendra e dytë terciare pas QKUK-së. Mendojmë ta bëjmë Kardiologjinë e re invazive në Prizren, që të jemi sa më afër pacientit. Prizreni me rrethinë do të jetë një qendër e avancuar me shërbime moderne”, përfundoi drejtori Sejdiu.
Ismaili, theksoi se tani qytetarët e Prizrenit do të kenë në dispozicion një repart modern për shërbime mjekësore.
“Vitin 2019 po e përmbyllim me një tjetër lajm shumë të mirë për shëndetësinë. Pas këtij investimi, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit u bë me një repart modern të radiologjisë. E pajisur me CT të re, aparaturë përcjellëse moderne dhe kushte optimale të punës, ky repart do të rrisë cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve mjekësore”, tha ministri Ismaili.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Afrim Avdaj, tha se ky investim është bërë falë kontributit të Ministrit të Shëndetësisë, si dhe drejtorit të ShSKUK-së.
“Është një ditë e veçantë sepse po inaugurojmë një projekt në vlerën prej 600 mijë euro me pajisje të reja. Puna dy vjeçare e ministrit të Shëndetësisë dhe kontributi i SHSKUK-së, kanë ndihmuar, tani qytetarët do të marrin shërbime cilësore.”, theskoi drejtori Avdaj.
Gjatë këtij viti në Spitalin e Prizrenit është bërë renovimi i Reparit të Emergjencës, Internos, Pulmologjisë, Infektivës dhe Neurologjisë.