Stomatologët kanë vërshuar me kritika ndaj odës së tyre për reagimin ndaj rastit në Malishevë ku ndërroi jetë një grua 35-vjeçare pas heqjes së dhëmbit nga mjeku Xhavit Karaxha.
Dhjetëra stomatologë e kanë kritikuar ashpër Odën e Stomatologëve të Kosovës për reagimin e saj ndaj rastit në Malishevë, ku ndërroi jetë një grua 35-vjeçare pas heqjes së dhëmbit tek stomatologu Xhavit Karaxha, shkruan Gazeta Shneta.
Stomatologët, disa prej të cilëve janë edhe anëtarë të organeve të OSK-së, kanë reaguar të pakënaqur duke thënë se oda është ngutur me reagim e madje është quajtur edhe “tendencioz”.
“Personalisht mendoj që ju si institucion dhe si odë nuk duhet të nguteni dhe të merrni hapa ‘ligjor’ ndaj kolegut në fjalë pa dalë e vërteta në shesh, qysh në reagimin tuaj të parë keni qenë tendencioz sepse kolegu në fjalë mund të jetë krejtësisht i pafajshëm”, thuhet në njërin nga komentet.

Një tjetër komentuese ka thënë se OSK asnjë ndihmë nuk ua jep stomatologëve, përkundrazi vetëm bën presion me pengesa në anëtarësim dhe rilicencim.

Një tjetër stomatolog ka thënë se komplikimet mund të ndodhin dhe ato njihen edhe në libra, prandaj sipas tij ka qenë e padrejtë arrestimi i mjekut.

Por të gjitha këto pretendime i ka mohuar OSK e cila ka dal sot sërish me një sqarim ku thuhet se në asnjë moment oda nuk e ka paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e Karaxhës.
Reagimi i plotë nga OSK:
Pas reagimit publik të OSK-së, në lidhje me ndarjen nga jeta të pacientës nga Malisheva pas marrjes së shërbimit stomatologjik, ndaj OSK-së janë drejtuar disa akuza dhe komente të pa baza prej disa anëtarëve të Odës për kinse OSK po bën gjykimin e parakohshëm të fajësisë së stomatologut.
OSK sqaron se as në reagimin paraprak e as në asnjë veprim të saj, nuk ka paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e anëtarit të saj dhe në asnjë rast nuk ka dhënë përfundime të tilla pa u konstatuar të njëjtat nga organet përgjegjëse.
Prandaj, ftojmë të gjithë anëtarët të përmbahen nga komentet të cilat kanë për qëllim të denigrimit të reputacionit të OSK-së, veçanërisht anëtarët të cilët janë edhe në organet e saj pasi të njëjtit duhet dhe obligohen të njohin legjislacionin mbi të cilin vepron OSK!




