Një studim i ri shkencor ka nxjerrë në pah një lidhje shqetësuese mes ritmit cirkadian të çrregulluar dhe ndryshimeve në tru që lidhen me sëmundjen e Alzheimerit
Ritmi cirkadian, i njohur edhe si cikli natyror gjumë-zgjim, luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e përgjithshëm të njeriut. Një ritëm i rregullt ndihmon në sigurimin e gjumit të mjaftueshëm, forcimin e sistemit imunitar, balancimin e hormoneve dhe rregullimin e metabolizmit, shkruan The Journal of the Alzheimer’s Association, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas kërkimeve të mëhershme, një ritëm i çrregulluar cirkadian mund të rrisë rrezikun për disa sëmundje serioze, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2, obezitetin dhe demencën, përfshirë Alzheimerin.
Studimi ka zbuluar se të moshuarit me një ritëm më të fragmentuar të aktivitetit dhe pushimit cirkadian kanë më shumë tkurrje të trurit (atrofi cerebrale) në zonat që lidhen me kujtesën dhe emocionet, zona të cilat zakonisht preken nga Alzheimeri.
Studiuesit theksojnë se këto gjetje mund të ndihmojnë në kuptimin më të mirë të rolit që ka gjumi dhe ritmi biologjik në shëndetin e trurit dhe në parandalimin e sëmundjeve neurodegjenerative në moshë të shtyrë. /Gazeta Shneta/


